Edhe sot stafi mbështetës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë po protestojnë për temperaturat e larta dhe mosfunksionomin e sistemit të klimatizimit brenda këtij objekti.
Këtë për “Betimi për Drejtësi” e kanë bërë të ditur kryetari i Këshillit Grevist në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Burim Neziraj, kryetari i Shoqatës Sindikale së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi dhe zëvendëskryetari i Sindikatës së Apelit, Adem Tahiri.
Neziraj e Rrustemi thanë se deri tani nuk kanë ndonjë përgjigje e as ndonjë informacion nga institucionet përkatëse lidhur me kërkesat e tyre.
Ata po kërkojnë që të përmirësohet gjendja me sistemin e klimatizimit brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë.
Sipas stafit protestues, shumë punonjës janë duke u përballur me probleme shëndetësore, siç është alivanosja dhe hipërtensioni, për shkak të gjendjes së objektit ku punojnë. /BetimipërDrejtësi