“Edhe n’shtet, edhe n’familje”, ishte slogani i edicionit të gjashtë të javës së krenarisë. Nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të Katedrales e pastaj në Pallatin e Rinisë, me qindra qytetarë kanë marshuar në përkrahje të këtij komuniteti.
Në “Paradën e Krenarisë” u tha se shteti dhe familja janë dy institucionet që po diskriminojnë më së shumti vajzat dhe djemtë e komunitetit LGBTI.
Po ashtu, organizatorët e marshit kanë kritikuar qeverinë, meqë sipas tyre, janë në listën e fundit të prioriteteve. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se do të procedojnë sërish Kodin Civil, në organin më të lartë legjislativ.
Shemsije Çerkini thotë se është krenare me të birin e saj që i takon komunitetit LGBTI. Ajo pas përfundimit të marshit ka mbajtur fjalimin para masës, duke kërkuar që shtëpia të jetë vend i pranimit dhe dashurisë.
“Qëndroj sot para juve si një nënë krenare. Qëndroj sot para juve si një nënë krenare e djalit tim “gay”. Si nëna e çdo personi LGBTI që nuk e ka dashurinë e përkrahjen e familjes. Një fjalë e urtë popullore thotë se ‘evladi është bujashka e zemrës’. Edhe po, është shumë e vërtetë. Evladi është pika e dobët, zemra e çdo prindit. Çdo evlad, çdo fëmijë, qoftë vajzë, djalë a çka do, gay, lesbike apo trans, rehatia e djalit tim është më e rëndësishme se sa çdo gjë tjetër në këtë botë. Unë jam shumë krenare për djalin tim, për personalitetin e tij, seksualitetin, jam krenare që është ai që është”, u shpreh ajo.
Organizatori i kësaj parade, Lend Mustafa tha se familja e shteti nuk po përkrahin komunitetin.
“Mesazhi iu drejtohet dy institucioneve kryesore bazë të një fëmije dhe pjesëtari të komunitetit LGBTI, janë shteti edhe familja. Janë institucionet që më së shumti po e diskriminojnë komunitetin tonë… Ne tashmë e kemi kuptuar se komuniteti LGBTI gjithmonë është në listën e fundit të prioriteteve të shtetit tonë të Kosovës. Edhe kësaj here kemi qenë të dëshpëruar me vendimet që kanë dashur të merren sa i përket Kodit Civil, për shkak se nuk janë të drejta që na takojnë neve. Janë të drejta që po donë qeveria të na jap, ato nuk garantojnë asgjë për komunitetin LGBTI”, ka deklaruar ai.
Ambasadori Jeffrey Hovenier, i cili ishte nga të parët që iu bashkua paradës, tha se sot është bashkë me një grup nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të treguar mbështetjen për këtë komunitet.
“Ne jemi këtu për të treguar mbështetjen për të drejtat e komunitetit LGBTI+, sepse besojmë fuqimisht që të drejtat e komunitetit LGBTI+ janë të drejta të njeriut. Por, shpresoj që unë nuk do të bëhem storia e sotme, rrëfimi i sotëm, por do t’i shohim kolegët e mi, pjesëtarë të shoqërisë civile, korpusit diplomatik dhe qytetarët e Kosovës, të cilët janë këtu për të marshuar këtu dhe për të siguruar që gjithë qytetarët e popullit të Kosovës, pa marrë parasysh veçoritë e tyre të ndryshme, përfshirë edhe orientimin seksual që i gëzojnë të drejtat e tyre. Do ta them edhe një herë që të drejtat e komunitetit LGBTI+, janë po ashtu të drejta të njeriut”, ka thënë ai.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se sot po festojnë të drejtat për personat e komunitetit LGBTI.
“Si popull që kemi qenë të robëruar, cenuar duhet të dimë më së miri se çfarë do të thotë të mohohet një e drejtë. Ajo çfarë ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës uroj të mos përsëritet, në kuptimin e procesit i cili duhet të rregullojë një të drejtë tjetër legjitime për të qenë bashkë në një union civil apo martesë të gjinisë së njëjtë. Pa koloritin e vet, shoqëria nuk mund të jetë shoqëri e drejtë dhe barabartë, demokratike dhe në funksion të të gjithëve”, ka thënë ajo.
Në një deklaratë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se deri më tani institucionet nuk kanë respektuar të drejtat e komunitetit.
“Në kohën kur është dashur që të tregojmë që jemi për respektimin e të drejtave të njeriut dhe këto nuk janë vetëm deklarative, por edhe me veprime konkrete me mundësinë për të votuar kodin civil, në këtë rast deputetët e opozitës sikurse edhe disa nga GP i LVV-së, nuk dhanë votën për një dokument që ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë mund të kuptoj mendimet ndryshe për çështje të ndryshme, por konsideroj që është roli i deputetit që duhet të punojë në emancipim të shoqërisë. Ai duhet të jetë shembull se si respekton të drejtat e njeriut”, tha ajo.
Po ashtu, ajo deklaroi se do të procedojnë sërish në parlament Kodin Civil.
“Ne do ta procedojmë sërish draftin e Kodit Civil dhe jemi të interesuar të bashkëpunojmë me deputetët që kanë një mendim tjetër që të shohim se cila është rruga për ta shtyrë përpara. Por që të drejtat e njeriut nuk mund të negociohen”, ka thënë ajo.
Gjatë marshimit, është evidentuar një rast kur në drejtim të qytetarëve është hedhur një mjet piroteknik. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se qëllimi i vizitës është që të tregojnë mbështetjen për të grupet që jetojnë në Kosovë.
“Ne si Polici e Kosovës e respektojmë çdo diversitet që e kemi në shoqëri, natyrisht që e mbështesim çdo event që ka të bëjë me promovimin e kulturën e diversitetit… Deri më tani nuk kemi ndonjë problem, përveç një incidenti që patëm te “Hotel Grand” ku u hedh një mjet piroteknik, por nuk kemi pas diçka që është serioze dhe që e dëmton imazhin dhe respektin ndaj diversitetit”, ka përfunduar Mehmeti.
Më tej, ai tha se nuk ka shifra se sa ka qenë numri i pjesëmarrësve në “Paradën e Krenarisë”.
Në marshin e gjashtë në përkrahje të këtij komuniteti kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të akredituar në vendin tonë, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ish-presidentja Atifete Jahjaga, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.