UBT News

​Dyshimet për sulm fizik ndaj një qytetari, reagon Bulliqi

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka reaguar ndaj lajmit se ai ka sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Bulliqi në reagimin e tij ka hedhur poshtë pretendimet se ai ka sulmuar zyrtarin në QKMF-në e Podujevës duke thënë se e gjitha po bëhet për të dëmtuar reputacionin e tij si kryetar dhe subjektit politik që ai përfaqëson, pra Vetëvendosjes.

“Sqarim lidhur me një lajm që po qarkullon në portale të ndryshme, se gjoja sot kam sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka shkruar Bulliqi në sqarimin e tij.

Ndër tjera ai shkruan se gjatë vizitës së tij në QKMF ka qenë i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në komunën e Podujevës, Driton Veliu dhe drejtorin e QKMF-së, Ymer Llugaliu. Ai ka theksuar se lehtë mund ta vërtetojë se gjatë vizitës së tij aty nuk ka ndodhur asgjë dhe se të gjitha janë trillime.

“Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta”, shkruan Bulliqi.

Ndërsa paraditen e së martës në stacionin policor në Podujevë është denoncuar një rast i sulmit fizik. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 09:30 në stacionin policor në Podujevë është denoncuar një rast i sulmit fizik. Aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga denoncuesi, dhe me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen veprimet policore po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka treguar Borovci.

Exit mobile version