Në edicionin e 15-të të Panairit Ndërkombëtar të Edukimit që është hapur sot në Prishtinë, po marrin pjesë mbi 95 subjekte vendore e ndërkombëtare.
Organizatori i këtij panairi, Bekim Xhafa deklaroi se krahasuar me vitet e kaluara, numri i pjesëmarrësve në panair është dyfishuar. Xhafa u shpreh se interesimi i shkollave fillore dhe të mesme për të vizituar këtë panair është shumë i lartë.
“Mund të them se është një rritje e dyfishuar në raport me herën e kaluar, sepse kanë ardhur shumë institucione që kanë ardhur shumë institucione që ofrojnë mundësi shkollimi të gjitha niveleve jashtë vendit. Kemi disa nga regjionet dhe shumë shkolla profesionale dhe qendra karrierës që kemi brenda Kosovës që janë prezent në këtë panair. Më e mira kësaj është se janë nga të gjitha komunat e Kosovës. Interesimi i shkollave fillore dhe të shkollave të mesme për të vizituar këtë panair është shumë i lartë”, deklaroi ai.
Të kënaqur me organizimin e këtij panairi janë shprehur edhe institucionet që po marrin pjesë.
Mësimdhënësja e gjuhës angleze në njërën nga shkollat në Kosovë, Qamile Mehmeti u shpreh se panairet e tilla janë mundësi shumë e mirë për të promovuar shkollat. Sipas saj, duhet të ketë më shumë panaire në mënyrë që të dëgjohen më shpesh sukseset e shkollave.
“Shkolla jonë nuk është hera parë që po merr pjesë në panairin e edukimit, kemi marrë pjesë edhe viteve të kaluara. Kjo është një mundësi shumë e mirë e promovimit të shkollës tonë, mundësitë që ne i ofrojmë dhe sukseset që i kemi pas deri tash. Panairi i edukimit është diçka shumë e mirë, e po ashtu duhet të ketë më shpesh panaire të tilla në mënyrë që të depërtojnë sukseset e të dëgjohen me gjerë”, tha Mehmeti.
Edhe Agron Hoxha, drejtori i njërit prej universiteteve nga Shqipëria, tha se panairet e tilla ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në promovimin e turizmit. Hoxha po ashtu kërkoi nga qeveritë e dy vendeve më shumë punë në këtë drejtim.
“Panairet e kësaj këtyre shërbejnë shumë për gjithë institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë. Tashmë Kosova dhe Shqipëria janë më afër se kurrë më parë dhe natyrshëm edhe mobiliteti dhe lëvizja e studenteve në të dy anët e kufirit është me e lehte se kurrë më parë… Por, panairet e tilla duhet me qenë edhe më të shpeshta në të dy anët e kufirit, edhe ne afrohemi më shumë afër njërit tjetrit, por edhe institucionet njihen dhe afrohen më shumë me njeri tjetrin. Natyrisht janë edhe qeveritë që duhet bërë edhe pak më shumë në këtë aspekt”, tha Hoxha.
Se panairet ndihmojnë jashtëzakonisht shumë e tha edhe Argesa Mazreku nga Qendra e Kompetencës nga Komuna e Malishevës.
“Realisht panairet na ndihmojnë shumë sepse edhe pak kohë ne do të bëjmë një panair në shkollën tonë dhe marrim si mostra se si duhet të shkojë procesi i panairit… Na ndihmojnë në zhvillimin e komunikimit e po ashtu të shohim produkte e prezantime të shkollave të ndryshme, që të përmirësohemi sa më shumë”, tha Mazreku.
Organizimi i panairit të Edukimit bëhet me qëllim që të kontribuoj në ngritjen e vetëdijes së studenteve rreth informimit, përzgjedhjes dhe avancimit të tyre profesional gjithashtu dhe mundësisë së përfitimit të fondeve (bursa, intership etj).
Panairi do të jetë i hapur edhe të premten në sallën “1 Tetori”, në kryeqytet.