Mbrëmë pas mesnatës kanë ndodhur dy shpërthime në veri të Mitrovicës, megjithatë nuk është raportuar për të lënduar.
Zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani ka thënë se njëri nga shpërthimet ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut një tjetër në rrethinë të Zveçanit.
“Mund të jenë shok bomba ose fishekzjarrë. Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar”, tha ai.
Elshani shtoi se megjithatë situata në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat e tjera në veri ka qenë e qetë gjatë natës dhe se vazhdon të jetë edhe sot e tillë.
Tensionet në veri nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, Policisë dhe gazetarë.