UBT News

​Durmishi: Me anulimin e tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve i kursyem 22 milionë euro

Me anulimin e tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve Ministria e Infrastrukturës ka arritur të kursejë rreth 22 milionë euro.

Kështu tha zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së), Hysen Durmishi në një konferencë për media ku bëri të ditur se javën që lamë pas është shpallur tenderi i ri i cili është ndryshuar në tërësi. Durmishi tregoi se ofertat për këtë tender do të hapen më 31 maj, dhe se shpenzimet për 3 vitet e ardhshme nuk do të kalojnë shumën prej 35 milionë euro.

Ai tha se janë duke analizuar të gjitha vendimet që janë marrë më herët në ministri, teksa shtoi se kurdo që të marrin ndonjë vendim do të informojnë qytetarët.

“Mirëmbajtja e këtij projekti ishte 44 milionë euro. Kjo ishte një kontratë kornizë 3 vjeçare e cila lejonte që menaxheri të rritë vlerën për 30 përqind, që i bie se do të bëhej 57 milionë. Nuk ka kontratë kornizë në të kaluarën që nuk është rritur për 30 përqind. Javën që shkoi ne kemi shpallur tenderin e ri, duke e ndryshuar në tërësi edhe si koncept. Hapja e ofertave do të bëhet më 31 të këtij muaji, kontrata do të jetë 1-vjeçare me sasi fikse. Kemi fituar produkte të reja që do të rrisin cilësinë e rrugëve. Vlera e parashikuar është 11 milionë e 669 mijë e 471 euro, do të jetë e ndarë në 14 llote. Nëse e llogarisim për 3 vitet e ardhshme do të shpenzojmë më së shumti 35 milionë euro. Vetëm nga kjo kontratë ia shpëtuam buxhetit të Kosovës rreth 22 milionë euro”, tha ai.

Sa i përket futjes së disa produkteve të reja, Durmishi tha se në mesin e tyre do të jetë edhe rrjeta e cila do të vendoset nën asfalt e që do të shërbeje për rritjen e cilësisë së rrugëve.

Ai foli edhe për shpronësime, për çka tha se ka shumë vendime që kanë kaluar afatin 2 vjeçar dhe tani ka edhe kamatë.

“Tani jemi të detyruar të ndajmë buxhet shtesë për 3 kategori për shpronësime e që janë. Ne kemi marrë vendim që të pezullojmë të gjitha memorandumet e nënshkruara me komuna në vitin 2021. Këto ndryshime po bëhen që të përfundojmë disa projekte të nisura kaherë”, tha mes tjerash Durmishi.

Exit mobile version