UBT News

​Dreshaj: U vaksinuan 3.4 % e qytetarëve, por asnjë nuk është imun ndaj COVID-19

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se qeverisë i duhen vetëm tri ditë për t’i vaksinuar mësimdhënësit, por deri tash nuk është vaksinuar asnjë nga ata.

Dreshaj në seancën e sotme për arsimin në pandemi ka thënë se pas një kërkese më shumë se një muaj, sot është kjo pikë e rendit të ditës, pasi qeveria e pa të arsyeshme më shumë të mbahen seanca për bordet e AKP-së dhe ARKEP-it, gjë që dëshmon për prioritetin për arsim.

“U mbyll arsimi prej atij parashkollor deri te ai universitar. Kaluam në sistemin online pa përgatitje të stafit, pa asnjë përgatitje të infrastrukturës, e çka është më e keqja pa program mbikëqyrës, duke bërë improvizime të llojllojshme në secilin nivel. Edhe sot pas 6 muajve vazhdojmë njëjtë pa strategji. Pasojat në arsim janë vështirë të matshme, vështirë të sanueshme por me pasoja afatgjate dhe kërcënuese për vendin”, tha ai.

Sipas tij, rënia e vazhdueshme e cilësisë në arsim, ka sjellë rininë në humbje të shpresës.

“Deri më sot llogaritet që janë vaksinuar në vend diku rreth 65 presona, që bën 3.4 përqind të popullatës së vendit dhe atë vetëm me dozën e parë, asnjë me dozën e dytë. Pra për momentin asnjë qytetar i Kosovës nuk është imun ndaj COVID-19. Sa mësimdhënës që janë aktiv në procesin mësimor janë imunizuar deri sot, asnjë”, ka deklaruar ai.

Ai uroi kontraktimin e 1.2 milion dozave, por shtoi se nuk ka informata lidhur me dinamikën e ardhjes së tyre.

Sipas tij, nëse pjesa dominuese e tyre nuk vjen para muajit korrik, rëndësia e tyre për proces stabil mësimor, do të jetë minore dhe e parëndësishme. 

Exit mobile version