UBT News

​Drejtoria e Arsimit në Prishtinë bashkë me Ambasadën Britanike zotohen për punësime meritore në arsim

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë sot ka bërë thirrjen publike për ekspertë të jashtëm për të marrë pjesë në procedurat e rekrutimit të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore në Prishtinë, praktikë që po bëhet për herë të parë në kryeqytet.

Në një komunikatë për media thuhet se duke e bërë këtë, po vendoset një standard i ri në udhëheqjen e arsimit në Prishtinë.

Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati tha se menaxhimi i shkollave është jetik për funksionim të mirëfilltë të arsimit.

“Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të Prishtinës lidhet ngushtë me mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit të shkollave dhe çerdheve. Prandaj, është me rëndësi tejet të madhe që procesin e emërimit të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave ta bëjmë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë ajo.

Ambasada Britanike përmes Projektit të Rekrutimit për emërime të zyrtarëve të lartë, do të mbështes komisionin rekrutues që do të bëjë përzgjedhjen e drejtorëve, duke ofruar trajnime profesionale se si duhet të zhvillohen proceset rekrutuese bazuar në merite.

Në thirrjen publike të shpallur sot, ftohen të gjithë ekspertët e arsimit dhe anëtarët e Këshillit të Prindërve që plotësojnë kriteret e përcaktuara të aplikojnë për anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve.

Exit mobile version