Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka kërkuar anulimin e lejes ujore e mjedisore për hidrocentralin në Brezovicë për çka edhe e kanë paditur Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.
Sipas organizatave GAIA dhe GLPS, që dorëzuan padinë, lejet e lëshuara nga ministria janë bërë pa transparencë dhe pa përfshirjen e qytetarëve. Para gjykatës në Prishtinë, këto organizata kanë bërë të ditur se do të paraqesin edhe padi të tjera për procese që sipas tyre janë të jashtëligjshme.
Padia sot është dorëzuar për “Konflikt administrativ kundër lejes ujore për hidrocentralin Brezovica në Komunën e Shtërpcës, lë lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit”.
Alba Dushi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike tha se do të ngrisin edhe padi të tjera për të gjitha lejet që do të lëshohen me këtë procedurë, që siç tha ajo është e jashtëligjshme.
“Padisim Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe në të ardhmen do të padisim për të gjitha ato leje e licenca që do të lëshohen me ketë procedurë e cila ka qenë e jashtëligjshme që nga fillimi. Ne gjithashtu do të kërkojmë qe me masë te përkohshme gjykata të ndalë ndërtimin dhe degradimin e natyrës që po i bëhet lumenjve tanë në Kosovë për interesa të disa kompanive të vogla private”, tha ajo.
Ajo tha se kanë kërkuar nga ministria që të dërgojnë të gjitha dokumentet por kjo nuk ka gjetur zbatim.
“Ne kemi kërkuar nga ministria dhe autoritetet e tjera publike që të na dërgojnë të gjitha dokumentet, gjë të cilën ata nuk e kanë bërë, për momentin neve na kanë dërguar vetëm lejen ujore për hidrocentralin Brezovica prandaj në këtë moment ne kërkojmë vetëm anulimin e kësaj leje sepse nuk kemi tjetër leje në dispozicion, në momentin qe do të na i dërgojnë, sigurisht ne do të dërgojmë padi edhe për këto sepse të gjitha bëjnë pjesë në këtë procesin e jashtëligjshëm ku hidrocentralet janë ndërtuar në dëm të ambientit dhe pa pjesë marrjen e qytetarëve të Shtërpcës”, tha ajo.
Mevlyde Skuroshi nga organizata GAIA tha se tha se nuk duhet lejuar dëmtimi i lumenjve.
“Lufta për mbrojtjen e lumenjve është e gjatë dhe kërkon bashkimin e një mori njerëzve me vullnet të mirë. Lumenjtë janë trashëgimia qe na e ka dhënë toka e ne nuk kemi të drejtë me e vra ketë trashëgimi, përkundrazi ne duhet me u kujdes për lumenjtë dhe duhet me i përcjellë ata të brezat e rijnë”, tha ajo.
GLPS thotë se HC Brezovica është një nga katër hidrocentralet e ndërtuara nga kompania Matkos Group Sh.p.k. në Komunën e Shtërpcës.
Sipas tyre, procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto katër hidrocentrale ka qenë jo transparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja.