UBT News

​Dorëhiqen edhe katër policë serbë, Osmani kërkon dënimin e Serbisë dhe të Vuçiqit

Ka shkuar në shtatë numri i policëve serbë që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, e të cilët janë rekrutuar tash së voni. Kështu ka bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani teksa ka apeluar bashkësinë ndërkombëtare që bashkë me dënimin e akteve të presionit she shantazhit të Serbisë ndaj këtyre policëve, të dënojë edhe autorët që gjenden në Beograd.

Osmani gjatë konferencës në Klinë tha po ashtu se përmes shantazhit e presionit që Serbia u ka bërë policëve të rinj serb të PK-së, ka shkelur marrëveshjet e Brukselit, por edhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Sipas informatave të deritanishme, deri para një ore, kur u njoftova nga institucionet e sigurisë, numri i dorëheqjeve ka arritur në shtatë. Ka tashmë informata të konfirmuara, sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve, që frikësimi i këtyre pjesëtarëve, shantazhi, vijnë direkt nga Serbia. Pra, burimin e kanë në Serbi, dhe ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta kriminale dhe ilegale dhe kriminale në Kosovë, t’iu bëjë presion qytetarëve serbë të cilët janë pro integrimit dhe pro bashkëpunimit, të cilat ua garanton Kushtetuta e Kosovës dhe Marrëveshjet e Brukselit”, tha Osmani.

Se Serbia është vatra e presionit dhe shantazhit që po bëhet ndaj policëve të rinj serbë, Osmani tha se e dinë edhe ndërkombëtarët.

“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat edhe kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve, pra varësisht nga kompozicioni etnik i komunave. Unë pres nga BE-ja që të marrin masa ndaj Serbisë dhe presidentit Vuçiq, për këtë shkelje të marrëveshjeve të Brukselit dhe të marrëveshjeve të Brukselit dhe do të thosha edhe shkelje të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Nuk ka asnjë pikëpyetje se prej nga po vjen ky presion, dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e dinë këtë shumë mirë, sepse ma kanë konfirmuar mua në çdo takim, se presioni ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj. Ndaj, presim që dënimi i këtyre akteve të jenë bashkë më dënimin e autorëve, e autori është në Beograd”, u shpreh Osmani.

Ndryshe, të enjten është raportuar se tre policë të sapo rekrutuar serbë janë dorëhequr nga Policia e Kosovës. Për çka kanë reaguar krerët shtetërorë, ambasadorë dhe shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë. 

Exit mobile version