Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) po vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit janë organizuar në përputhje me standardet demokratike.
E vetmja gjë që i hedh hije këtij procesi në bazë të rezultateve preliminare, sipas Eugen Cakolli nga DnV është numri i madh i votave të komunitetit boshnjak dhe egjiptian në zona që demografia është në shpërputhje me votat e fituara.
“Zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit janë organizuar dhe zhvilluar në përputhje me të gjitha standardet demokratike. Dita e zgjedhjeve ka kaluar mirë pa dëmtim të integritetit zgjedhor, por është shoqëruar me disa probleme që po përsëriten vazhdimisht. Bazuar në rezultatet preliminare, humbja e disa subjekteve politike të komuniteteve jo shumicë dhe fitorja e disa tjerave hedh hije për këtë proces, pasi votat e fituara janë në shpërputhje me komunitetin demografik që është në ato zona”, tha ai.
Krahas kësaj, Cakolli tha se në këto zgjedhje ka pasur ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e KQZ-së, ku përmendi deklaratat e ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani karshi kryesueses se këtij institucioni, Valdete Daka.