Një shtëpi është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm, në Prishtinë. Fatmirësisht, nga zjarri që dogji kulmin e shtëpisë nuk ka të lënduar. Derisa ende nuk dihet shkaqet e zjarrit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur për KosovaPress se rreth orës 7:30 kanë marrë informacion për zjarr në një shtëpi në rrugën “Holger Petersen” në kryeqytet, për të dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar përveç dëmeve materiale”, ka thënë ai derisa ka shtuar se aktualisht policia ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
E komandati i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, i cili kishte dalë në vendin e ngjarjes tha se kanë arritur të lokalizojnë zjarrin, gjë që çoi edhe në shuarjen e tij.
Ai theksoi se mund të digjeshin edhe shtëpitë e tjera, nëse nuk do të mbërrinin më kohë për shuarjen zjarrit.
“Na informatat i kemi marrë rreth orës 7:20 të mëngjesit që është duke u djegur një shtëpi. Në fakt informata ka qenë që ka njerëz brenda këtu dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm i ekipeve të zjarrfikësve dhe se për shkak që komunikacioni nuk ka qenë i ngarkuar reagimi ka qenë i shpejtë dhe e kanë nxënë këtë pjesën që është djegur, vetëm pjesa e kulmit të këtij objekti ose kësaj shtëpie. Ndërsa po të ishim vonuar më shumë ka pasur gjasa edhe kulmet e tjera me u përfshi, edhe shumë objekte tjera, pra reagimi ka qenë shumë i shpejtë, profesional. Sa i përket të lënduarve nuk kemi informata nëse ka, zjarrfikësit kur kanë ardhur nuk kanë takuar të lënduar”, tha Gashi.
Edhe dëshmitarët thonë se ekipet e Policisë dhe ato të zjarrfikësve kanë dalë me kohë në vendin e ngjarjes.