Në 25-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar tryezën për jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës derisa ka folur për 17 veprat e tij, theksoi se që nga viti 1969 kur takoi Nënë Terezën nuk është ndalur asnjëherë. Sipas tij, jeta dhe vepra e Nënë Terezës është ndërtuar mbi segmentin e jetës së dy prindërve të saj.
“Gonxhja jonë është rritur me një ambient të tillë. Tetë vitet e para i ka kryer në shkollën katolike pranë Ipeshkvisë. Kurse gjimnazin e ka kryer në gjuhën serbo-kroate në gjimnazin shtetëror. Ajo ishte një vajzë shumë të talentuar. Baba Kolë me udhëtimet e veta dhe aktivitetet e tij edhe si atdhetar, në këtë frymë ai i edukoi edhe fëmijët e vet. Nënë Lokja apo Dranja ishte një bamirëse, ajo e cila kujdesej jo vetëm për familjen e vet, por edhe për ata që ishin në vështirësi financiare apo shëndetësore. Dy modelet e prindërve janë të pranishme në segmentet e jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Thirrja e saj është një udhëzim dhe një rrugëtim prej kohës 12-vjeçare deri 18-vjeçare”, tha ai.
Ai shtoi se binarët e jetës së saj janë kultura dhe tradita.
“Krejt vepra e Gonxhes janë në këto binare. Dhe këtu është risia absolute, askush prej njerëzimit nuk e ka pasur një botëkuptim të tillë. Te Nënë Tereza është për Zotin dhe për njeriun”, ka shtuar ai.
Profesor Jahja Drançolli tregoi se në veprat për Nënë Terezën është vështirë të sigurohen informata, meqë vetë Gonxhja nuk donte që jeta e saj të ishte e popullarizuar.
“Ne kemi probleme edhe me bashkëpunëtorët në këtë ndriçimin që merren me këtë problem. Unë kam kontaktuar edhe me disa profesorë në Beograd, që kanë ndjekur Letnicën. Atje Gonxhe Bojaxhiu ishte për herë të parë në vitin 1922 dhe të vitit 1928, kur përcaktohet që do të shkojë në rrugën e Zotit. Dhe kam biseduar edhe me të profesorë të Kroacisë… Një akdemike serbe nuk don të përmendet shën Nënë Tereza. Dhe është një problem në këtë kontekst”, ka thënë ai.