Republika e Shqipërisë dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Para konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka cilësuar këtë si moment historik dhe sipas saj, të dy shtetet kanë punuar palodhur drejt integrimit. Von der Leyen ka thënë se ky është një sukses i qeverive dhe qytetarëve të dy shteteve.
“Ky është një moment historik! Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hapur pikërisht negociatat për aderimin në BE dhe jam shumë e lumtur që jam këtu me ju, ky është suksesi juaj, i juaji si qeveri, i qytetarëve tuaj, i popullit tuaj që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht shumë përkushtim për vlerat tona. Keni treguar këmbëngulje, keni patur besim tek procesi drejt BE-së, keni zbatuar shtetin ligjor, keni median e lirë, keni një shoqëri civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma dhe keni modernizuar ekonominë tuaj. Ju keni bërë të gjitha këto ndryshime jo vetëm aty ku janë të detyrueshme për rrugën drejt BE-së por për të gjitha sepse këto janë të mira për vendin tuaj dhe këto reforma tashmë po japin një cilësi më të mirë jetese”, ka thënë ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian ka thënë se do të vazhdojnë mbështetjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Pas konferencës ndërqeveritare sot, Komisioni dhe ekipet negociuese do të fillojnë punën sot dhe shqyrtimi i akive evropiane do të jetë hapi i parë dhe ky shqyrtim do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet, mbi të gjitha marrëveshjet europiane e ne do të vijojmë shumë shpejt me të. Pika e dytë është që ne do të vathojmë të jemi më afër në fusha kyçe, për shembull Shqipëria do të bashkohet për mbrojtjen civile europiane dhe kjo do të rrisë pikërisht përballjen që Shqipëria do të ketë mbi emergjencat civile, mbi tërmetet apo aspektet e tjera të dëmeve të ndryshme në mënyrë të tillë që BE do të jetë aty sa herë që do të ketë shkaqe të tilla. Maqedonia e Veriut shumë shpejt do të shqyrtojë me ne marrëveshjen FRONTEX, që do të jetë dislokimi i FRONTEX në kufijtë e Maqedonisë së Veriut dhe Dimitar, ti mund të mbështetesh tek mbështetja ime që të gjitha ligjet do të përkthehen në gjuhën maqedonase pa fusnota e të gjitha do të jenë në gjuhën maqedonase”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se tani do të vijojnë përfitimet si rritja e investimeve, bashkëpunime në fusha të ndryshme ndër të cilat energjia dhe transporti dhe punësime të reja.
E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se populli shqiptar nuk u dorëzua asnjëherë në rrugën drejt Evropës. Por, sipas tij, kjo e ka forcuar Shqipërinë edhe më shumë.
“Pra shumë faleminderit mbarë popullit shqiptar, i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e udhëtimit evropian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë, pas 3 vitesh kaq shumë të ndërlikuar ku refuzimet prej Këshillit te Evropës nga njëra anë dhe tërmeti, pandemia, lufta nga ana tjetër, krijuan një situatë vërtet të vështirë, por na forcon më shumë seç ishim… Ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit por situata është kjo që është dhe është mirë kështu siç është dhe ne thjesht na duhet të ngremë dhe ndërtojmë një Shqipëri europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur perëndimor, të fortë dhe demokratik”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë pati një falënderim edhe për ish kancelaren gjermane, Angela Merkel, pa të cilën tha se Shqipëria nuk do të arrinte këtu.
Gjatë fjalimit të tij në konferencë, Rama ka falënderuar edhe presidenten e Komisionit Evropian, presidentin francez dhe kryeministrin e Çekisë, për të cilët tha sek anë punuar për të shtyrë përpara integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski ka thënë se ky është një fillim i ri për rajonin dhe sipas tij do të nxisë progres edhe për vendet e tjera fqinje.
“Besoj se ky fillim i ri për rajonin do jetë begati dhe progres dhe kur ka progres në një vend, kjo do nxisë progresin në vendet e tjera dhe në fqinjët e tjerë. Ne do vijojmë me të njëjtën dinamikë të bashkëpunimit rajonal dhe aktualisht do vijojmë siç kemi bërë deri më tash në mënyrë të shkëlqyer në interesin e qytetarëve tanë. Do mbetemi të përqendruar mbi kuadrin fillestar të procesit të integrimit dhe kështu do punojmë për veten tonë dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit drejt BE-së’”, ka thënë kryeministri maqedonas.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thënë se e njohën dhe pranuan propozimin evropian përmes një procesi të gjerë konsultimi që sipas tij është zgjidhja më e mirë.
Ndërsa sipas kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Bashkimi Evropian është më i fortë me këto dy shtete brenda.
“Në emër të presidencës çeke në Këshillin e BE-së i uroj të dy vendeve tuaja, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për këtë gur kilometrik. Ne do jemi në të fortë nga zgjedhja juaj, që është testuar tashmë shumë herë. Duke pasur parasysh agresionin rus, ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj për të pasur të njëjtën politikë sigurie me BE-në. Në Evropën e sotme ne duhet të jemi bashkë gjatë gjithë kohës. Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do vazhdojë të jetë e tillë. Ne kemi nderin që një progres i tillë ndodh gjatë presidencës sonë”, ka thënë ai.