Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve është shënuar sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë përmes aksionit “Unë isha refugjat”.
Qytetarët me këtë rast kanë shënuar emrat për gjithë ata që ishin refugjatë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Fjona Haxhismajli nga Organizata nisma e te rinjve për të drejtat e njeriut, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetarët që kanë qenë refugjatë gjatë luftës t’i ndajnë rrëfimet e tyre.
“Përmes një aksioni rrugor, ne po e shënojmë këtë ditë duke vendosur fjali se unë kam qenë refugjatë”, por gjithashtu edhe “unë përkrahi refugjatët”. Në këtë mënyrë po angazhojmë qytetaret që në mënyre simbolike të mbetet një dokument, një mënyrë që të gjithë të jemi pjesë e aksioni. Aty po e nënshkruajnë dhe po e vendosin emrin e tyre, por gjithashtu në këtë mënyre po kanë edhe mundësinë të ndajnë storiet e tyre, sepse ne kemi krijuar një platformë virtuale ku gjendet në internet, është muzeu virtual i refugjatëve. Aty janë storiet e ndryshme, gjithashtu edhe narativa të ndryshme të njerëzve që tashmë kanë ndarë. Prej 2020 është si platformë, njerëzit kanë ndarë storiet e tyre të refugjatëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi storie nga me të ndryshmet dhe nga njerëz të etnive të ndryshme”, theksoi Haxhismajli.
Ajo po ashtu tregoi edhe për platformën, “Muzeu i fëmijërisë së luftës së fundit në Kosovë”, të cilët po mbledhin materiale me përvojat e qytetarëve që ishin refugjatë gjatë luftës në Kosovë.
“Po ashtu kemi edhe platformën “Muzeu i fëmijërisë së luftës së fundit në Kosovë”, i cili është në proces e sipër në krijim, por gjithashtu edhe për atë po mbledhim materiale e storie të ndryshme nga njerëzit”, tha Haxhismajli.
Ndryshe, rreth 1 milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftës në Kosovë dhe secili prej tyre ka një rrëfim në vete.