Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 22 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1 mijë e 600 persona figurojnë si të zhdukur.
Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës në koordinim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Marshi përkujtimor fillon nga ora 09:30, nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të arritur te lapidari dedikuar personave të zhdukur, pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Vendosja e luleve te lapidari për persona të zhdukur fillon në orën 10:00. Vizita dhe homazhe në lokacionin e pranimit të mbetjeve mortore gjatë procesit të riatdhesimit afër pikë kalimit kufitar në Merdare fillon nga ora 12:00.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.