Sot është dita e fundit për të aplikuar për mbështetje prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat. Megjithëse thirrja është bërë prej më shumë se një muaji, askush që ka aplikuar deri më tani nuk i ka përfituar ende këto shtesa.
Ministria e Financave, përmes një njoftimi të shkurtër, thotë se kanë aplikuar mbi 300 mijë punëtorë, megjithëse sërish nuk jep datë të saktë se kur pritet të bëhet ekzekutimi. Shkurt thuhet se gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet shqyrtimi dhe ekzekutimi i mjeteve.
“Vlen të theksohet se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve tashmë ka themeluar Komisionin Zbatues për vlerësimin e aplikacioneve dhe gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet shqyrtimi i tyre dhe ekzekutimi i mjeteve”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës hodhi kritika të rënda për mosekzekutim të mjeteve prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës duke e akuzuar për mashtrim.