UBT News

​Dita e Evropës shënohet duke promovuar lëvizshmërinë alternative

Kosova po shënon 9 Majin – Ditën e Evropës me aktivitete të ndryshme të organizuara kryesisht nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës e që janë të fokusuara tek të rinjtë, energjia e gjelbër dhe digjitalizimi. Një prej aktiviteteve ishte edhe shëtitja me biçikleta dhe trotinete elektrike që promovon lëvizshmërinë alternative dhe të ardhshme.

Qytetarëve iu bë thirrje që të përdorin më shumë biçikletat dhe hapësirat e gjelbra ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, premtoi se në javët e muajt në vazhdim prioritet do të jetë këmbësori duke i ofruar më shumë hapësirë.

“Sot së bashku e bëmë një xhiro me ambasadorin e Bashkimit Evropian me biçikletë dhe me E-scuter edhe e shihni edhe vet që hapësirat janë fantastike dhe është një eksperiencë shumë e mirë edhe ditëve me radhë tash duke iu afruar muajit qershor do të kemi çdo vikend do të kemi iniciativa të ndryshme ku tregojmë se përjetimi i kryeqyteti tonë do të jetë më pozitiv kur prioritet e kemi këmbësorin, prioritet i kemi hapësirat e gjelbra dhe jo asfaltin e veturat… Mendoj që me këtë ditë të iniciojmë një përshpejtim të Kosovës si pjesë të Bashkimit Evropian aty edhe ku e meriton edhe i takon të jetë”, tha Rama.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyoug deklaroi se Ballkani Perëndimor ka një të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian, ndërsa është duke u punuar në vazhdimëis që Kosova të aplikojë standarde dhe norma evropiane.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për Bashkimin e Evropian, por besoj që është e rëndësishme edhe për Ballkanin Perëndimor. Besoj që Ballkani Perëndimor ka një të ardhme të qartë në BE. Po punojmë që ta rreshtojmë Kosovën sa më shumë që është e mundur me standardet dhe normat evropiane. Ne nuk duam që Bashkimin e Evropian ta paraqesim vetëm si entitet politik, por si një entitet që ofron të ardhme të qëndrueshme. Marrëveshja e Gjelbër është shumë e rëndësishme për BE-në, dhe duam që Kosovën ta rreshtojmë drejt Marrëveshjes së Gjelbër”, theksoi Szunyoug.

Përpos që anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duket gjë në horizont, edhe liberalizimi i vizave konisrohet si një vendim i munguar pa të drejtë për qytetarët e Kosovës.

Mirëpo, Szunyoug u shpreh se në ditë si kjo e stomej duhet të shërbejnë për të punuar më shumë.

“Është ditë e festës kombëtare në Kosovë dhe mendoj se është në rregull të festohet. Është Dita e Evropës për ne si evropianë. Mendoj se është një mundësi për festim dhe për fillimin e punës për zbatimin e perspektives evropiane”, shtoi ai.

Qytetarët mendojnë se Kosova ka shumë punë për të bërë për t’iu bashkuar Bashkimi Evropian.

“Synimi për me mbërri në Bashkimin Evropian është përgjegjshmëri për gjërat të cilat ne i përjetojmë çdo ditë, kjo është njëra prej tyre, liria e lëvizjes dhe jo veç liria e lëvizjes në BE por edhe liria e lëvizjes në qytet… Për prakticitete si kjo, për t’i kënaqur të gjithë njerëzit brenda qytetit për mobilitet, jemi shumë mbrapa, edhe duhet të punojmë shumë jemi shumë larg asaj, ne i kemi plotësuar disa kritere me lëviz lirë përkohësisht që të kthehemi në Kosovë, me liberalizim të vizave dhe për gjëra të tjera jemi shumë mbrapa”, tha Andi Sapolli.

Të dy segmentet e rrugës “Xhorxh Bush” në Prishtinë ishin të bllokuara dhe qytetarët i shfrytëzuar për të lëvizur në këmbë, biçikleta apo trotinete.

Exit mobile version