Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë disa nga çështjet që janë përfshirë në deklaratën e përbashkët që doli nga Samiti i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë pjesë të deklaratës, e cila është shpërndarë edhe në Twitter nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, thuhet se BE dhe ShBA do ta vazhdojnë angazhimin e përbashkët për Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne synojmë të forcojmë angazhimin tonë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, ndër të tjerash edhe përmes dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke mbështetur reformat kyçe për integrim në BE”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Në këtë deklaratë të përbashkët mes BE-së dhe ShBA-së, ndër të tjerash janë përmendur edhe tensionet e ShBA-së me Rusinë dhe Kinën.