Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka mirëpritur vendimin e marrë në takimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, përmes së cilit janë koordinuar për ndërtimin e projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës- Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron që ky vendim do të ndikojë pozitivisht në rritje të stabilitetit, sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik në vend duke rritur kështu shpejtësinë e qarkullimit dhe ulë kostot e transportit dhe lëvizjes së qytetarëve.
Me fillimin e punës së hekurudhës, Kosova do të bëhet qendër e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve në Ballkan.
“Megjithatë, konsiderojmë që hekurudha duhet të jetë me dy linja, që njëkohësisht mund të kemi edhe vajtje edhe ardhje, sepse duke qenë dy drejtimëshe ofron shumë më shumë mundësi shkëmbimi dhe bashkëpunimi”, thuhet në komunikatë.
Dhoma e Tregtisë konsideron se ndërtimi i hekurudhës me një linjë as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e bizneseve e të qytetarëve për të rritur shpejtësinë e dërgimit të mallrave dhe qarkullimit të qytetarëve.
Për më tepër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, që të merret parasysh kërkesa e bizneseve, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje më e mirë, më afatgjatë dhe efikase.
Duke marrë parasysh që hekurudhat me dy linja në këtë kohë kur kërkesat janë shumë të mëdha, kontribuojnë shumë më shumë në rritjen e efikasitetit dhe shpejtësisë së qarkullimit të udhëtarëve dhe të mallrave.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përshëndet dhe do të përkrahë gjithmonë këto veprime dhe vendime të cilat rrisin bashkëpunimin kombëtarë, si dhe ndikojnë pozitivisht në ekonominë e dy shteteve.