Dhoma e Tregtisë ka ftuar Kryeministrin e Kosovës në një dialog të drejtpërdrejtë. Përmes një komunikate për media, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Kryeministri Albin Kurti përkrahje direkte dhe pa kushtëzime për punëtorët dhe sektorin privat.
Kërkohet që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzojë punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sekorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti.
Mes tjerash, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë rikujton se janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët mbajnë familje dhe jeta i’u është rënduar për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në vend.
Komunikata e plotë:
Përkrahje pa kushtëzime për punëtorët!
Duke vlerësuar situatën e rënduar të bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat si pasojë e goditjes nga pandemia Covid-19, luftës në Ukrainë, rritjes enorme të çmimeve të produkteve të shportës familjare, naftës, gazit dhe shumë produkteve të tjera, Dhoma e Tregtisë kërkon nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përkrahje direkte dhe pa kushtëzime për punëtorët dhe sektorin privat.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e përshëndetë vendimin e fundit të marrë nga Qeveria e Kosovës, për pakon e re të masave për përballje me inflacionin. Rikujtojmë se janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët mbajnë familje dhe jeta i’u është rënduar për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në vend, e të cilët mund të mos përfitojnë nga kjo pako e re e masave e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës pasi që e vetmja pikë e paraparë për këtë kategori, në kuadër të kësaj pako është kushtëzimi prej 50% të rritjes së pagës deri në 100 euro për tre muajt e pare, ku realizimi i së njëjës do të jetë shumë i vështirë për një pjesë të madhe të bizneseve.
Kjo pasi që punëdhënësit e sektorit privat e që janë shumicë, do ta kenë shumë vështirë të bëjnë ngritjen e pagave për punëtorët e tyre, për shkak se të njëjtit kanë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për bizneset e tyre, në mënyrë që të njëjtat të mos familentojnë.
Rikujtojmë se biznesi në kontinuitet, ngrit pagat në bazë të mundësive që ka dhe që është e ndërlidhur me sektorët, kërkesën e tregut, kapacitetet e tyre dhe politikat fiskale që ofron shteti.
Andaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzoj punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sekorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti.
Rikujtojmë se gjatë krizës energjetike në muajin që lamë pas, biznesi mbeti mbi 6 orë në ditë pa energji elektrike dhe nuk morri asnjë përkrahje nga shteti për humbjet e mëdha të shkaktuara në prodhime, ndëshkime për mosrealizm të marrëveshjeve të kontraktuara etj., duke u detyruar po ashtu që një pjesë e bizneseve sipas mundësive të investojnë edhe në gjeneratorë, inventorë dhe bateri për të përballuar krizën.
Dhoma e Tregtisë fton Kryeministrin e Kosovës në një dialog të drejtpërdrejtë duke e marrë parasysh se çdo ditë është në terren duke e monitoruar gjendjen e bizneseve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon gjithashtu nga Kryeministri, Ministrat dhe sektorët tjerë të shtetit që të marrin parasysh kërkesat e vazhdueshme që është duke Ju dërguar në tejkalimin sa më të lehtë të krizës dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në vend.