Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi vendimin e saj mbi referimin më të fundit të Pjetër Shalës në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të tij themelore. Paneli konstatoi se referimi është i parakohshëm dhe e shpalli të papranueshëm.
Referimi i Shalës ishte dorëzuar më 10 korrik të këtij viti.
Ndërsa vendimi është marrë nga paneli i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti.
Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë do të vazhdojë me 18 shtator kur edhe do fillojë paraqitja e provave nga ekipi mbrojtës.
Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.