UBT News

​Dështon përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së

Në mungesë të kuorumit ka dështuar përzgjedhja e nëntë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Kjo pasi në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur të qëllimshëm bojkotin e deputetëve. Ai tha se në sallë janë vetëm 57 deputetë, andaj nuk ka kushte për t’u votuar Bordit i RTK-së.

“Unë konstatoj që ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm nuk ka kushte për tu votuar Bordi i RTK-së prandaj mendoj që duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, tha ai.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit ad-hock përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së, Armend Zemaj tha se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është zhvilluar me transparencë dhe ligjshmëri.

“Më lejoni t’i theksoj dy gjëra që kanë karakterizuar këtë proces transparenca, llogaridhënia, ligjshmëria por edhe pjesa tjetër që ndërlidhet me atë që ne të gjithë konsiderojmë dhe kërkojmë pavarësinë e individëve në raport me bordin e ardhshëm të RTK-së. Komisioni ad-hock ka kryer punën sipas mandatit dhe këtë përzgjedhje e kemi sjell para jush”, tha ai.

Ndërsa, me seancën e sotme Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Abedin Azizin zëvendësdrejtor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).

Exit mobile version