UBT News

​Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK kritikuan mazhorancën për ikje nga puna parlamentare, pasi konsideruan se është me rëndësi debati parlamentar për veprimet e Qeverisë së Kosovës për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se dështimi i mbledhjes së Kryesisë lidhet edhe me rezultatin e zgjedhjeve lokale. Derisa bëri thirrje të shtyhen përpara disa çështje me rëndësi si zgjedhja e dy anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Ai paralajmëroi edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për kallëzim penal, pasiqë sipas tij ka filluar implementimin e një marrëveshje ndërkombëtare pa ratifikim në Kuvend.

“Pas rezultatit të fundit zgjedhor, mazhoranca nuk ka vullnet me shty përpara obligimet parlamentare. Si ka mundësi që një marrëveshje që nuk është ratifikuar në kuvend të fillojë shpenzimi i mjeteve”, tha ai.

Kritik ndaj mazhorancës u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se legjislativi duhet ta konsiderojë me urgjencë debatin parlamentar për gazsjellësin.

Exit mobile version