Ibadete Canolli-Kaçiu është dëshmitarja e radhës e mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, e cila gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara ka thënë se ka qëndruar në fshatin Zllash nga data 16 deri më 21 prill të vitit 1999.
Dëshmitarja e cila ka qenë pjesë e UÇK-së si punëtore shëndetësore, i ka thënë trupit gjykues që Salih Mustafën në këtë fshat e ka takuar vetëm më datë 21 kur sipas saj po i zhvendosnin të plagosurit për në Majac. Ajo ka deklaruar se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar apo të cilët janë maltretuar.
Ibadete Canolli-Kaçiu ka treguar se deri në mars 1999 ka jetuar në Prishtinë ku edhe ka punuar në qendrën rehabilituese të drejtuar nga Flora Brovina. Ajo ka thënë se punën e ka ndërprerë me fillimin e bombardimeve më 24 mars 1999, ndërsa më datën 31 të atij muaji serbët i kanë detyruar të shpërngulen nga Prishtina.
Dëshmitarja ka thënë se deri më 16 prill ka qëndruar në fshatin Mramor, në shtëpinë e Afrim Gashit, ndërsa ka shtuar se nga aty me vullnetin e saj i është bashkuar gueriles BIA dhe po me atë datë ka shkuar në Zllash.
Canolli, e cila edhe më herët kishte dhënë kontribut në UÇK, ka theksuar se deri në Zllash ka shkuar në këmbë, e shoqëruar nga disa ushtarë.
Nga avokati mbrojtës Betim Shala ajo është pyetur rreth objektit në të cilin ka qëndruar në Zllash, ndërsa ka thënë se aty kanë qenë disa shtëpi të shpërndara.
“Në fund të oborrit ka qenë një bunar aty afër e kam takuar Isa Kastratin. Isa Kastrati ka qenë udhëheqës i gueriles, të cilin e kam takuar edhe në Prishtinë. Në objektin e sipërm që ka qenë afër bunarit, ka qenë një objekt pak më i ri, sigurisht i ndërtuar më rishtas, aty ka qenë një dhomë me një ndarje të vogël, në atë dhomën e vogël e kam pasur një barnatore të vogël dhe një shtrat ku aty kam qëndruar”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se aty pranë ka qenë një kuzhinë mbi të cilën sipas saj kanë qenë dhomat ku kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së.
Dëshmitarja ka theksuar se nuk ka qenë ndonjëherë në pjesën e sipërme, ndërsa në kuzhinë ka thënë se kishte hyrë vetëm njëherë. Ajo ka thënë se ka qëndruar në të njëjtin objekt me familjen e Fatmir Humollit.
“Objekti i rinovuar ku unë kam qëndruar në njërën pjesë, ka qenë me ndarje, ndërsa në pjesën tjetër kanë qenë ushtarët dhe dy familje me fëmijë, familja e Fatmir Humollit dhe e plakut, axhës Mejdi. Në mbrëmjen e 16-shit kam filluar menjëherë me pastrimin e ambientit, kanë qenë disa batanije, kam klasifikuar materialin, kam buajt atë natë, me datën 17 tërë ditën kam përgatitur material shpenzues, më datën 18 kanë filluar bombardimet me mëngjes, më datën 20 kemi kaluar natën në një mal mbi shtëpi, në ambient hapur, deri më datën 21 kur i kemi hequr të plagosurit dhe jemi nisur për Majac, do të thotë nga 16 deri më datën 21 (kam qëndruar në Zllash)”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtjes.
Canolli ka thënë se Salih Mustafën në Zllash e kishte takuar vetëm më datën 21 prill 1999, ndërsa ka shtuar se atë e kishte takuar më herët në Prishtinë.
“Salih Mustafën e kam takuar më datën 21 kur kemi filluar t’i zhvendosim të plagosurit për në Majac. Para shkuarjes në Zllash, në Prishtinë po, ndërsa gjatë ditëve sa kam qëndruar në Zllash jo. Salih Mustafa mesa kujtoj sa ka qenë përgjegjës për sigurimin e civilëve dhe ushtarëve në zonën ku ky ka vepruar dhe këtë përgjegjësi e ka ndarë me doktoreshën Flora Brovina, i kam takuar në ordinancën ku unë kam punuar”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nuk ka vërejtur roje pranë objekteve në Zllash, ndërsa ka shtuar se aty nuk ka pasur persona të ndaluar.
Avokati Shala: Gjatë kohës sa ju keni qenë në Zllash, a keni parë që ka pasur persona të ndaluar, përkatësisht që kanë qenë të izoluar në një hapësirë të caktuar.
Dëshmitarja Canolli-Kaçiu: Jo.
Avokati Shala: Gjatë kohës ju keni qenë në Zllash a keni parë apo a keni dëgjuar që dikush të jetë maltretuar aty në atë lokalitet.
Dëshmitarja Canolli-Kaçiu: Jo.
Me këtë kanë përfunduar pyetjet e avokatit mbrojtjes ndërsa në pjesën tjetër të seancës Ibadete Canolli-Kaçiu do të përgjigjet në pyetjet e zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është dëshmitarja e 15-të e mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës në Hagë, i cili është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.