Dëshmitari ekspert, Robert Reid i cili po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Hagë, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndjekur praktikat më të mira të procedurave gjatë operacioneve në zyrat e organizatës në shtator të vitit 2020. Reid, i cili ka qenë shef i operacioneve në zyrën e Prokuronit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, ka thënë se në rastin OVL-UÇK, prokuroria nuk i ka ndjekur udhëzimet e punës që janë përdorur në TPNJ.
Reid është dëshmitar ekspert i mbrojtjes së Nasim Haradinaj dhe ai është përgjigjur në pyetjet e avokatit, Toby Cadman edhe për përvojën e tij 25 vjeçare në këtë fushë duke i përmendur praktikat e ndjekura në kryerjen e operacioneve dhe në ruajtjen e materialeve.
Camdan e ka pyetur atë për operacionet e ZPS-së më 8, 17 dhe 22 shtator në zyrën e OVL-UCK, për çka dëshmitari ka thënë se operacionet nuk janë kryer mbështetur në standardet e duhura dhe efektive.
“Jo unë nuk besoj që ata kana ndjekur praktikat më të mira të procedurave, nuk mendoj që ata kanë ndjekur standardet, procedurat dhe udhëzimet e standardet e punës që ne kemi përdorur në TPNJ”, ka thënë dëshmitari ekspert.
Dokumentet që i ka parë, Reid ka thënë se nuk janë të përpunuara sipas zinxhirit të ruajtjes, ndërsa prokuroria ka kundërshtuar pyetjet që lidheshin direkt me rrjedhjen e dokumenteve. Ai ka thënë se duhet të ekzistojë dokumentacion i tërësishëm i hetuesit, i cili i ka koordinuar kontrolle dhe sekuestrimin.
“Po, duhet të eksitojë dokumentacion i tërësishëm i këtij hetuesi, i kryehetuesit së pari, një dokument që të kërkonte leje që misioni të bëhej”, ka thënë ai.
Reid ka bërë të ditur se fusha e specializimit të tij janë hetimet penale, duke theksuar se është ish-oficer policor dhe prej vitit 1994 deri në vitin 2018, ka punuar në TPNJ.
“Zinxhiri komandues është shumë i thjeshtë, bazik, porsa dokument vinë në dorën tënde duhet të jesh në dijeni se ku janë në çdo minutë të ditës dhe shtatë ditëve të javës, dhe këtë bënim kur shkonim në mision. Kishim një punonjës që merrej me dëshmitë, me provat dhe kur një grup dokumentesh merreshin ai regjistronte, ai nuk regjistronte çdo faqe të veçantë dhe çdo dokument por një dosje që ka titullin X Y, dhe pastaj sigurohej që ajo dosje të shkonte në kutinë e provave që i vihej një numër, pastaj këtë numër ai e shënonte në bllokun e inventarit, dhe ishim në gjendje të thonim me saktësi se çfarë dokumentesh përmbante çdo qese”, ka thënë dëshmitari ekspert.
Ndër të tjera, avokati e ka pyetur atë rreth përvojës së tij të vitit 1997 në Prijedor dhe në Banjalukë, ku Reid ka treguar mënyrën se si barteshin dhe ruheshin dokumentet.
“E di që ishte një proces shumë i madh, me përkthyes, ne të gjithë që shikonim të gjitha dokumentet për të bërë një inventar të hollësishëm, jo faqe për faqe por për tu dhënë autoriteteve një ide të përgjithshme të asaj që kishim marrë. Pasi bëhej kjo punë dhe u jepej autoriteteve gjithçka vulosej prapë dhe dërgohej me sigurinë ushtarake, shoqëruar me ushtri, në Zagreb dhe futej në një dhomë që edhe ajo vulosej dhe jam shumë i sigurt, edhe pse nuk jam 100% por një punonjës i sigurisë rrinte në zyrë atë natë për të ruajtur dokumentet dhe të nesërmen një nga shefat e ekipit hetues dhe shoferi i sillnin ato në Hagë ku dokumentacioni i jepej sipas zinxhirit ruajtës njësisë së provave. Jam i sigurt i jepeshin shefit të kësaj njësie”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe procedurat që ndiqeshin kur kamioni me dokumente arrinte në Hagë.
“Kur vinte kamioni këtu unë e takoja bashkë me njësinë e provave, i shkarkonim kutitë në TPNJ kishim dy zyra të mëdha poshtë nën tokë ku i mbanim këto dokumente, të gjitha i vendosim aty pastaj njësia e provave nënshkruanin dhe ndiqej zinxhiri i ruajtjes, pastaj dokumentacioni merrej në ruajtjen e tyre ne si hetues, juristë, përkthyes të tjerë e kishim bërë punën tonë, tani e kishte radhën njësia e provave të bënte punën e saj, e vetmja gjë që do të bënim më shumë, nuk e di nëse e kemi bërë në ’97-ën, nuk e di nëse kishim mjete elektronike apo kishim dokumente në letra, sepse njësia e provave kërkonte të kishim disa metoda, gjithsesi dikush i vendoste metadatat që shpjegonin çfarë dokumentesh ishin, data që ishin marrë, autorët që kishin përgatitur e të tjera”, ka thënë Reid.
Sipas tij, dokumentet dërgoheshin me kamionë meqë përmes avionit ato nuk mund t’i kishin pranë vetës në çantën e dorës duke shtuar që nuk rrezikonin t’i vendosnin ato në bagazhin e avionit.
Ried ka thënë se në rastet kur zhvilloheshin misioni kontrolli apo sekuestrimi ai dhe shefat e tjerë të hetimeve ishin në dijeni çdoherë dhe sipas tij, ekipi zhvillonte takime të rregullta çdo mëngjes dhe bëhej planifikim paraprak për mision kontrolli apo sekuestrimi.
Avoakti Cadman a ka pyetur atë rreth deklaratave të dëshmitares së ZPS-së, Zdenka Pumper, e cila kishte thënë se udhëzimet për çështjen OVL-UÇK, i kishte marrë gojarisht nga prokuroria dhe nuk kishte mbajtur shënime, për Reid ka thënë se çdogjë regjistrohej dhe shefi i ekipit raportonte për çdo gjë.
“Ne merrnim një kërkesë nga personi që do të kryesonte misionin dhe gjithmonë procedurat, standardet e punës siguronin, garantonin që puna të bëhej e njëjtë për të gjithë në këtë rast i drejtoheshim zëvendësprokurorit tek shefi i hetimeve, komanda e hetimeve, për shembull, nëse unë kam qenë përgjegjës për hetime e autorëve myslimanë dhe u morëm me ushtrinë e Bosnjës, duhet të siguroheshe që të merreshin të gjitha masat që ushtria të ishte e informuar plotësisht dhe të përfshihej”, ka thënë dëshmitari ekspert.
Reid ka thënë se aktualisht është në pension dhe puna e fundit që ka bërë ka qenë nga tetorit i vitit 2019 deri në shtator 2020 dhe ka qenë për mekanizmin ndërkombëtar për tribunalet kombëtare dhe prokurorin Broomers që punon në gjykatën e Ruandës.
Ndërsa si ish oficer policie nga viti 1994 deri në vitin 2018 në Tribunalin Ndërkombëtar për ish Jugosllavi dhe ka qenë edhe përgjegjës për ekipin hetues për rastet në Bosnje.
Dëshmia e Reid në gjykimin ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit po vazhdon me pyetjet e ZPS-së. Ata u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.