UBT News

​Dëshmitari në Hagë: Personat që më kanë mbajtur kanë pasur tesha të larme që i ka mbajtur UÇK-ja

Pjesa e dytë e seancës në Hagë ku po zhvillohet gjykimi në rastin e ish-pjesëtarët të UCK-së, Salih Mustafa, po vijon e mbyllur ku po mirret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dëshmitari i parë në këtë gjykim. Në pjesën e parë të seancës, dëshmitari ka thënë se personat që sipas tij e kanë kidnapuar janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së dhe kanë pasur të veshur “tesha të larme të UÇK-së”.

Sipas dëshmitarit të parë në këtë gjykim, i njëjti është ndaluar nga sy persona që sipas tij janë prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, të cilëve pastaj u janë bashkuar edhe të tjerë dhe siç ka thënë dëshmitari e kanë dërguar për mbajtje në një vend në fshatin Zllashë.

“E kanë pasur uniformën. Do tesha të larme që i ka mbajtur UÇK-ja”, ka thënë dëshmitari kur është pyetur nga prokurori se çfarë uniforma mbanin personat që dëshmitari thotë ta kenë kidnapuar.

Ai ka thënë se nuk ka arritur të vërejë nëse kanë pasur shenja apo emblema.

“Ti the që ishin të policisë ushtarake të UÇK-së, nga e di ti që ishin të policisë ushtarake të UÇK-së”, ka pyetur prokurori.

E sipas dëshmitarit, ata janë prezantuar si pjesëtar të UÇK-së.

“Po ashtu edhe mu kanë prezantuar”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari i parë në gjykimin e Salih Mustafës po dëshmon nën masa të mbrojtura sigurie ku identiteti i tij nuk është i ditur për publikun dhe ka të vendosure një perde e cila i pamundëson të akuzuarit Salih Mustafa të shoh dëshmitarin.

Në fillim të seancës Salih Mustafa ka kërkuar fjalën por nga gjykatësja i është thënë se do të ketë një rast tjetër gjatë seancës së sotme për t’i dhënë fjalën meqë njëherë do të vijojë seanca me dëgjimin e dëshmitarit.

Seanca e sotme ku po merr pjesë dëshmitari i parë ka vijuar e mbyllur për disa minuta dhe në disa pjesë ka pasur redaktim gjatë transmetimit. Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja dhe që po qëndron në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator, me pretendimin për krime lufte, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Exit mobile version