UBT News

​Dëshmitari i prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëgjohet në seancë private

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në ditën e dytë në gjykatore, ai po dëshmon tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3879 po merret në pyetje nga prokurori Matt Halling. Intervistimi i tij nga prokuroria ka nisur të hënën dhe pjesa më e madhe e dëshmisë është dhënë në seancë private.

Ndërsa në pjesën kur seanca ishte publike, dëshmitari ka folur për periudhën e vitit 1998 dhe zonën e Llapushnikut. Ai ka thënë se komandat për atë zonë ishte Fatmir Limaj.

Dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë ka thënë se vet ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sipas tij, në atë kohë, kishte deklarime se anëtarët e kësaj partie nuk duhej pranuar në UÇK.

Deri tani në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 15 dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur dhe në seanca private, përveç ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit dhe një oficeri britanik, të cilët kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur me 3 prill ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Exit mobile version