Deri në mesditë numër i vogël i qytetarëve kanë votuar në komunën e Bujanocit. Vetëm 14 për qind prej tyre kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi. Ndërkohë i tërë procesi zgjedhor po konsiderohet se ka shkuar në rregull deri tani.
Zëvendëskryetari i KQZ në komunën e Bujanocit, Refik Shemsedini tha për KosovaPress, se janë të kënaqur me rrjedhën e zgjedhjeve.
“Deri tash jemi të kënaqur me rrjedhjen e zgjedhjeve ka shkuar gjithçka mirë nuk kemi pasur asnjë problem në asnjë vendvotim, kurse sa i përket daljes e kemi shumë të vogël, deri në orën 14;00 vetëm 14 përqind”, tha ai.
Ai nuk pranoi të komentoi numrin e madh të qytetarëve serbë nga Kosova që kanë ardhur në mënyrë të organizuar në Bujanoc.
“Ne nuk e kemi obligim të atyre që vijnë nga Kosova, ne kemi obligim vetëm nivelin komunal zgjedhor”, tha ai.
Ndër qytetarë edhe Admir Selimi u shpreh i kënaqur me mënyrën e procesit zgjedhor.
“Procesi shkoi mirë nuk pash parregullsi, kështu që i tërë procesi shkoi mirë…për neve është më mirë me pas sa më shumë deputetë në Parlamentin e Serbisë për të drejtat tona”, tha ai.
Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.
Në garë janë koalicioni i Shqiptareve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi.