Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet të dalin në teren dhe mbështesin familjet në nevojë për shkak të vërshimeve.
Ai gjatë seancës së sotme plenare tha se angazhim shtesë për shkak të vërshimeve duhet të ketë edhe FSK-ja.
“Vërshimet janë shumë të mëdha në qytetin e Skenderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut, Pejë dhe dukagjin përgjithësi. Në këtë drejtim, kërkojmë që të ketë një mbështetje më të mëdha nga Qeveria dhe institucionet siç është edhe Agjencinë i Menaxhimit të Urgjencave, por jo vetëm. Edhe FSK-ja dhe rezervistët në këtë rast është mirë që të reflektojnë dhe angazhohen që t’i mbështesin familjet në nevojë. Tash e pata një thirrje nga një familje e cila është dashur të pozicionohet në katin e dytë për shkak të vërshimeve në Skenderaj”, tha ai.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shiut që janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, disa lumenj kanë dalë prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje. Sipas IHMK-së, zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq, etj.