Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë plotësuar rendin e ditës duke e vendosur si pikë të katërt marrëveshjen e bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Mocioni për ndryshim u propozua nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Një tjetër mocion e ka paraqitur kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, që si pikë e pestë e rendit të ditës të jetë çështja e përfshirjes së komisionerit për të drejtat e njeriut në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Edhe ky propozim e ka marrë mbështetjen e deputetëve.
Gjithashtu, deputetët e kanë mbështetur edhe mocionin e propozuar nga deputeti Armend Muja, që si pikë e gjashtë e rendit të ditës të shqyrtohet edhe projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive, familjare dhe banesave.