Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë plenare, e para nga dy që do të mbahen këtë javë.
Në seancën e sot me do të bëhet shqyrtimi i dytë i rregullores së re të Kuvendit dhe po ashtu Projektligjit për financimin e partive politike.
Ndërsa pritet miratimi edhe i marrëveshjes ndërkombëtare me Komisionin Evropian për IPA III.
Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi nga Uashingtoni edhe ratifikimin e marrëveshjes me MÇ, por kjo mbetet për t’u parë nëse do të arrije të kalojë procedurat dhe të përfshihet që sot apo të presë seancën e radhës.
Lidhur me rregulloren e re të Kuvendit, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se është gjetur konsensusi nga grupet parlamentare për t’i dhënë dritë të gjelbër, pasi edhe janë hequr të gjitha dualizmat që kanë mundur ta sfidojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.
“Janë dakorduar që të gjitha dualizmat apo mundësitë që të çojnë në shqyrtim, apo sfidim të kësaj rregullore në Gjykatë Kushtetuese të hiqen. E di që në grupin punues ka pasur frymë të bashkëpunimit dhe dakordim final”, tha ajo ditë më parë.
Përkrahje miratimit të rregullores së re të Kuvendit, i dha edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Ajo tha se presin që përmes të njëjtës të rritet funksionaliteti i legjislativit.
“Konsiderojmë që do të jetë një rregullore që do të ndihmojë funksionalitetin e këtij institucioni të rëndësishëm. Jemi munduar që të bashkëpunojmë me akterë të shoqërisë civile gjatë punës që është bërë për disa muaj me radhë. Besoj shumë se në seancë do të merr mbështetjen e deputetëve. PDK ka dhënë qëndrimin e saj se ne do të mbështesim rregulloren e re të punës së Kuvendit. Presim që të rritë funksionalitetin e këtij institucioni”, shtoi Blerta-Deliu.
Në rend të ditës, në seancën e së enjtes do të jetë edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim të politikave zhvillimore për financa publike dhe rritje të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.