Anëtaret e bordit të grave deputete të Kuvendit të Kosovës, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kanë kërkuar punësim më të madh të grave si parakusht për barazi. Në konferencë për medie të mërkurën, ato theksuan nevojën që gratë të jetë të përfaqësuara njësoj në proceset vendimmarrëse në vend.
Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti tha se rritja e punësimit të grave është e nevojshme dhe domosdoshme.
“Punësimin e konsiderojmë si kusht dhe parakusht për barazi. Rritja e punësimit është e nevojshme dhe nuk krijohet me një program të vetëm por me krijimin e kushteve në shumë sfera. Andaj ne do të merremi me shumë ligje dhe aspektin e tyre se si e prekin jetën e grave. Do të kemi takime me vet gratë, institucionet dhe organizatat që kanë qëllim këtë”, tha ajo.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se gratë duhet të përfshihen njësojë në proceset vendimmarrëse.
“Të mos shihet si diçka e ndryshme në profesione që duken edhe sot në Kosovë sikur të jetë profesione të burrave. Ato duhet të jenë të përfaqësuara njësojë në proceset vendimmarrëse, proceset e edukimit, shkollimit dhe aftësimit të shkathtësive dhe aftësive, aty ku ato e meritojnë”, theksoi deputetja e PDK-së.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku foli për gratë në politikë, derisa tha se të njëjtat po diskriminohen.
“Sa i përket diskriminimit të gruas në politikëbërje, sigurisht se një grua ka diskriminim ndaj një burri. Mundësitë më të mëdha për të bërë politikë i ka burri. Përvoja shumë vjeçare e jona në politikë tregon se gratë janë më të hendikepuara karshi burrave”, u shpreh ajo.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi tha se ende nuk ka përfaqësim të barabartë gjinor në sektorin publik dhe as privat.
“Ende në sektorin publik nuk shihet një përfaqësim i barabartë gjinor si në pozicione ashtu edhe ne punësim. Andaj gjendja vjen e bëhet edhe më vështirë kur flasim për punësimet, sidomos në sektorin privat”, tha ajo.