Kuvendi i Kosovës po e shqyrton raportin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Derisa deputetët nga opozita kanë deklaruar se nuk ka pasur menaxhim të duhur të krizës, nga partia në pushtet nuk e kanë përkrahur këtë raport duke thënë se i njëjti nuk ka prezantuar seriozitet dhe nuk ka të gjetura nga ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se ky komision ka ndihmuar qytetarët të kuptojnë procedurat e dyshimta të qeverisë në raport me sektorin energjetik.
“Pa punën e këtij komisioni hetimor nuk do ta kuptonim ne as qytetarët procedurat e gabuara dhe të dyshimta të qeverisë në raport me sektorin energjetik dhe kontratat një burimore, tashmë edhe kjo është vërtetuar. Pa komisionin hetimor nuk do ta kuptonim qe qeveria i ka dhënë mjete kesh KESCO-s 40.9 milionë euro, ndërsa KEDS-it 5.6 milionë euro, e në total i bie i kemi 46.5 milionë euro vetëm brenda periudhës maj-shtator 2021. Pra, pa këtë komision qytetarët nuk do ta kuptonin realisht mashtrimin që kjo qeveri në kontinuitet ka bërë”, theksoi Shala.
E deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se dëmi që është shkaktuar në këtë periudhë nga keq-menaxhimi, nga interferimet është tepër i madh për buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Dëmi që është shkaktuar në këtë periudhë nga keq-menaxhimi, nga interferimet është tepër i madh për buxhetin e Republikës së Kosovës. Mos thuani që është menaxhuar mirë kur ne është dashur me blerë energji elektrike me një kosto më të madhe se krejt shtetet në rajon, mos thuani që është menaxhuar mirë kur kaldajat nuk kanë shkuar në remont nga orët e shpenzuara që është dashur 32 mijë orë por keni pritur derisa të bëhen 41 mijë orë që ato me u prish që me ble energji elektrike qe me u rrit vlera e prokurimit për remont, me sjell gjermanin me punua turbina dhe filtera dhe ky është rezultati e me të cilin janë përballur qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se komisioni ka dëshmuar që Kosova ka pësuar keq nga kriza energjetike si pasojë e gabimeve të qeverisë.
“Ky raport tregon shumë të vërteta, e para u dëshmua që Kosova pësoi keq nga kriza energjetike në vend ku qeveria e Kosovës nga gabimet e saj ka marrë disa vendime për të subvencionuar rritjen e kostos energjetike. E dyta, në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022 qeveria Kurti ka marrë katër vendime në vlerë prej 124.5 milionë euro, pra nga mos kujdesi profesional që të përgatiten në çdo kohë për ndryshime dhe humbje të mundshme në energjisë dhe mos arritja e marrëveshjes parapake me shtetet fqinje për shitblerje të energjisë, Kosovës i ka kushtuar hiç më pak se 124.5 milionë euro humbje nga buxheti i Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa sipas deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ky komision ishte i panevojshëm dhe nga i njëjti nuk ka të gjetura.
“Nuk mund ta mohojmë faktin se është keqpërdorë për qëllime fiktive të opozitës kjo punë. Nuk ka asnjë të gjetur dhe mendoj që kolegët opozitarë dëshpërimisht në kërkim të kauzës është koha të kërkojnë falje publike për të gjithë ata dëshmitarë të cilëve ua kanë marrë kohën, duhet të kërkojnë falje sidomos për zotin Berishaj, sepse pretendimet që e kanë ngritur këtë komision lidhur me aferën më të madhe korruptive sipas përshkrimit opozitar kanë përfunduar që në fund të intervistimit pikërisht këta deputetë hetues të përfundojnë me puthje dhe përqafime me zotin Berishaj”, ka thënë Abrashi.
Këtu ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Po më shqetëson kjo zoti Abrashi se unë nuk qenkam i njoftuar si kryetari kuvendit me këto përqafime”, ka thënë Konjufca.
Ky raport po prezantohet në seancë pa rekomandim të Komisionit hetimor meqë nuk ka marrë epilog në mbledhjen e fundit të komisionit në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet.