Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur tryezën me temën “Zbatimi i konceptit të mjekësisë familjare, të arriturat dhe sfidat”.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e stërmbushur me pacientë.
“Qëllimi i takimit nuk është vetëm një takim shkencor, është më shumë praktik. Ne duam të dimë për pengesat e juaja dhe për përmbushjen e kërkesave të pacientëve. Mjeku familjar është ngarkuar me shumë detyra dhe përgjegjësi, por diskursi publik është më shumë për QKUK-në”, ka thënë ajo.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se gjatë vitit do të fillojnë me listën e pacientëve dhe identifikimin e mjekut familjar.
“80 për qind e shërbimeve shëndetësore jepen nga kujdesi parësor. Ne mendojmë që në pjesën e dytë të vitit, në dy komuna të fillojmë pilot projektit me listën e pacientëve, me qëllim të identifikimit të mjekut familjar. Sfidë e shoh numrin e pamjaftueshëm e specializantëve dhe specialistëve dhe ndërrimi i shpeshtë i pushteteve lokale”, ka theksuar ai.
Muhamedali Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve deklaroi se pacientët nuk duhet të trajtohen si palë.
“Duhet të plotësohen nevojat e popullatës me kujdes shëndetësor. Nëse ne vazhdojmë të dedikojmë buxhetin të ofruesve, gjendja do të vazhdojë të jetë e njëjtë. E shohim të rrugës fuqizimin e popullatës, që me e dërgu sistemin sa më afër popullatës”, ka shtuar ai.
Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi tha se hendikep për kryeqytetin është mungesa e kujdesit dytësor, që shpesh herë janë në pikun e kritikave nga kujdesi tretësor.
Ai ka folur për numrin e madh të qytetarëve të zonave të tjera që marrin shërbime në Prishtinë.
“Në vitin 2021 janë mbi 1 milion vizita dhe tre milionë shërbime. Çdo qytetari të kryeqytetit i bie që të merr 15 shërbime, që nuk është logjike”, ka theksuar ai.