UBT News

​Dënimi i krerëve të shoqatave të luftës së UÇK-së në Hagë, reagon Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas dënimit me burg të krerëve të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së në Hagë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj sot u dënuan nga Gjykata Speciale me nga katër vjet e gjysmë burg. Në reagimin e tij, kryetari i AAK-së u ka bërë thirrje Gucatit e Haradinajt që të qëndrojnë të fortë.

“Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Do i them pak fjalë për Nasimin. Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit. Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë. Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet. Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla. Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Exit mobile version