Anëtarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Naile Dema-Selmani ka thënë se mbetet shqetësuese numri i vogël i zëdhënësve në institucionet e drejtësisë. Në bazë të raportimeve, ajo shtoi se gazetarët po ballafaqohen me vonesa në sigurimin e përgjigjeve. Kështu u shpreh ajo në diskutimin e organizuar nga EULEX për përmirësimin e komunikimit te gjykatave me publikun dhe mediat.
“Vonesa në përgjigje, kjo për shkak të numrit të vogël të institucioneve të drejtësisë. Vitin e kaluar, AGK ka mbajtur takime me anëtarë të KGjK-së dhe KPK-së, ku është marrë një dakordancë të ketë prioritet për gazetarët. Në kuadër të kësaj, KPK e ka vendosur një koordinator, por ka ende vend për përmirësime”, theksoi Dema-Selmani.
Redaktori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi tha se prej vitit 2010, KGjK ka marrëveshje me secilën organizatë që ka dashur të monitorojë sistemin.
“Problemi kryesor është qasja strategjike e sistemit. Politika në këtë vend ka pasur Piar më të mirë se sistemi i drejtësisë. Krimi i organizuar do të tentojë në vazhdimësi të dëmtojë kredibilitetin e sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Përveç kësaj, Gashi shtoi se duhet të ketë transmetim live të mbledhjeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.