Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për të parandaluar rastet e dhunimeve seksuale. Ajo ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të krijojë linjë të veçantë të raportimit të viktimave të dhunës seksuale si dhe shtim të psikologëve në strehimore.
Ajo tha se rasteve të ngacmimeve seksuale duhet përgjigjur shpejtë dhe ashpër në mënyrë që dhunuesit t’i dërgohet mesazh që institucionet dhe shoqëria janë në mbrojtje të grave dhe vajzave.
“Ministria e Punëve të Brendshme duhet urgjentisht të krijojë një linjë të veçantë të raportimit të viktimave të dhunës seksuale si dhe të shtohen psikologët në strehimore në sanimin e pasojave dhe në rehabilitimin e rasteve. Duhet të angazhohemi secili për të parandaluar këto veprime të neveritshme dhe të mbështesim viktimat e dhunës seksuale. Duhet të sigurojmë që rastet e ngacmimeve seksuale t’ju përgjigjemi shpejtë, ashpër dhe të jemi të ashpër ndaj sulmuesve në mënyrë që të sigurojmë që viktimat të mbrohen. Vetëm kështu kolegë deputetë do të dërgojmë mesazh të qartë tek të gjithë dhunuesit se shteti, institucionet, shoqëria, ka vullnet e ka gatishmëri t’i mbrojë vajzat dhe gratë me forcën e palëkundur të ligjit”, ka thënë Deliu.