Kryetarët e Komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, përmes një deklarate të përbashkët për media, janë deklaruar në lidhje me takimin e sotëm që kishin me Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier, shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.
Zeqiri dhe Peci kanë thënë se duan dhe janë të gatshëm që punën, në të mirë të qytetarëve dhe komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, ta nisin sa më parë.
Megjithatë, ata kanë thënë se situata aktuale nuk i pëlqen askujt, prandaj, u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse, sipas tyre, dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike.
“Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”, thuhet në deklaratën e Zeqirit dhe Pecit në Facebook.
Në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, Zeqiri dhe Peci kanë kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë.