UBT News

​Daka: Subjektet politike të respektojnë ligjin për zgjedhjet

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka realizuar të drejtën e saj kushtetuese për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Ajo ka votuar në orën 07:00 me hapjen e vendvotimeve dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’i përmbahen rregullave për pandeminë, ndërsa subjekteve politike të respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-se ka bërë të ditur se ky institucion ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për këto zgjedhje.

“KQZ tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe të gjitha ato obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Sot ne ua dorëzojmë të gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve, pra sot KQZ do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve meqenëse të gjitha detyrat dhe obligimet tona i kemi përfunduar”, tha Daka pasi hedhi votën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Daka bëri thirrje për kujdes dhe zbatim të rregullave që lidhen me pandeminë Covid-19.

“Ftoj qytetarët që të respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë sepse jemi në dite kur të gjithë sot do ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe i ftoj që gjatë ushtrimit të kësaj të drejtë të kenë kujdes të posaçëm për rregullat e pandemisë, gjithashtu edhe subjektet politike. Edhe njëherë i ftoj të gjitha subjektet politike që gjatë ditës së sotme t’i respektojnë të gjitha rregullat e KQZ-së, t’i respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe mbi të gjitha Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Daka.

Ndërsa për personat e prekur me koronavirus të shtrirë në Klinikën Infektive, Daka tha se ata që janë lajmëruar për votim do të vizitohen nga ekipet mobile.

Exit mobile version