UBT News

​Daka: Deri tash janë verifikuar 8 mijë votues jashtë Kosovës

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka vizituar qendrën e thirrjeve të shërbimit votues për t’u njoftuar nga afër me procesin e kontaktimit përmes telefonit të aplikuarve për t’u regjistruar si votues jashtë̈ Kosovës.

Daka ka thënë se ky proces është duke u zhvilluar në rregull dhe se po bëhet e pamundura që të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të kenë mundësi që të votojnë.

Ndërsa sa i përket thirrjeve që bëhen pas mesnate, Daka ka thënë se kjo mund edhe të keqpërdoret pasi që qendra e thirrjeve punon vetëm deri në ora 00:00.

“Procesi është duke u zhvilluar në rregull, pra i kemi 25 linja të cilat na janë dhënë nga Qeveria e Kosovës, të cilat funksionojnë pa ndërprerë, deri në orën 12:00 të mbrëmjes, kur edhe përfundon ndërrimi i dytë. Qytetarët janë duke u lajmëruar dhe kritikat i shoh dashakeqe sepse.. ky proces është duke u kritikuar pa të drejtë. Ne jemi duke e bërë të pamundurën që të gjithë qytetarët e Kosovës, me të drejtë vote t’ia japim mundësin që të votojnë”, ka thënë Daka.

Ajo shtoi se vetëm këto dy ditë janë verifikuar rreth tetë mijë qytetarë dhe për këtë proces janë duke u harxhuar shuma të mëdha parash, vetëm e vetëm që t’iu mundësohet të gjithë qytetarëve jashtë vendit që të votojnë.

“Jemi duke bërë verifikimin e fundit, sot dhe dje janë verifikuar rreth tetë mijë qytetarë dhe pothuajse të gjithë janë duke u lajmëruar. Ne jemi duke harxhuar një shumë të madhe të parave që të iu mundësohet të gjithë qytetarëve që të votojnë, por duhet të kemi kujdes për integritetin e procesit zgjedhor, dhe do të kujdesemi që çdo votues të jetë votues i vërtetë”, ka thënë Daka.

Ndërsa sa i përket ankesës së një qytetare jashtë Kosovës se është kontaktuar nga KQZ në katër të mëngjesit, Daka ka thënë se kjo nuk është e mundur, pasi që qendra e thirrjeve punon vetëm deri pasmesnate.

“Mund të keqpërdoret, mundet dikush të thërras dhe të thotë, unë jam nga KQZ-ja, nuk ka si të vërtetohet kjo. Unë iu siguroj që këta djem dhe vajza punojnë deri në ora 00:00 e natës. Pastaj se kush thërret nuk është përgjegjësi e jona”, ka thënë Daka.

Daka sqaroi se edhe personat që nuk lajmërohen në telefon për të parën herë, do të provohet t’i thërrasin vazhdimisht derisa të lajmërohen.

Exit mobile version