Sot janë bërë 15 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. E për të përkujtuar jetën dhe veprën e të nipit, pranë varrit të presidentit të ndjerë kishte ardhur daja i tij, Halit Rugova, i cili tha se populli i Kosovës nuk e ka merituar të jetë kështu siç është sot.
Halit Rugova me bashkëshorten e tij Mihanën, kishin ardhur të mërkurën për të bërë homazhe pranë varrit të nipit.
Halit Rugova duke folur për jetën dhe veprën e ish-presidentit Rugova, tha për KosovaPress, se LDK-ja nuk është si dikur, pasi i mungon fryma rugoviane.
Sipas tij, deri më sot askush nuk ka arritur të trasojë rrugën e Ibrahim Rugovës.
Daja Halit Rugova e kujton nipin e tij për virtytet e larta që kishte, duke thënë se një burrështetas si ai do t’i mungojë gjatë Kosovës.
“Presidenti historik ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë virtyt i një populli, që rrallë do ta ketë në historinë e vet. Presidenti Rugova ka qenë njeri unifikues, i urtë, i bashkimit, njeri i vlerave, ka ditur të respektojë, ka ditur t’i bashkojë njerëzit rreth vetes dhe më gjerë. Prandaj, është një mungesë shumë e madhe sot, për elitën tonë, për lidershipin tonë, për kombin tonë në përgjithësi, që nuk është më në mesin tonë”, thotë ai.
Mes kujtimeve për Ibrahim Rugovën, ai adreson kritika për politikanët.
“Kisha pasur dëshirë që të lë dikë që ta trasojë mirë rrugën e tij, por më duket mua që nuk i kemi përfillur taman sa duhet idetë e tij, vizionin e tij, rrugën e tij, prandaj kemi ardhur në një situatë të cilën po e vuajmë të gjithë”, shprehet ai.
I pakënaqur me situatën politike, ekonomike e shëndetësore në vend, Halit Rugova thotë se politikanët duhet të bashkohen për të mirën e vendit dhe popullit. Teksa shton se edhe LDK nuk është ajo që ka qenë dikur.
“Unë i përkas kësaj partie me shpirt e me zemër, por nuk është ajo LDK-ja e para 7-8 viteve ose para 10 viteve, nuk është ajo LDK-ja e frymës rugoviane, që po thirremi të gjithë në frymën rugoviane, por nuk jemi në rrugën e asaj që presidenti Rugova ka dashur. Po të ishte ai gjallë sot, ma merr mendja, me këtë pamje të politikës do të kishte thënë: ‘më mirë të mos isha kthyer në këtë jetë’. Unë edhe diçka po them, o sot o kurrë, politikanët tanë që sot janë në krye të shtetit tonë e që jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kurrë më në rrugë dhe në drejtësi ka qenë se ët ishin ulur politikanët e të gjitha partive në një tryezë. Sot duhet t’i bashkojmë forcat tona politike për të mirë të brezave tanë, të rinjve tanë”, thotë Rugova për KosovaPress.
Për të bërë homazhe tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova të enjten erdhën edhe u.d. së presidentit, Vjosa Osmani, u.d. së kryeministrit Avdullah Hoti dhe udhëheqës të partive politike në vend, Ramush Haradinaj, Albin Kurti e Isa Mustafa.
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 nga një sëmundje e rëndë. Në varrimin e tij kanë marrë pjesë shumë personalitete të larta botërore.