Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni ka thënë sot se prokurori Blerim Isufaj nga zyrtarë të lartë shtetëror është cilësuar si i padenjë. Sipas tij, kjo dukuri është e pamoralshme dhe me qëllim të keq.
Në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, Çuni ka theksuar se Isufaj është etiketuar si shantazhues deri në përmasat e një monstrumi anti-shtetëror.
“Sot dua të flas për një dukuri që për mua është e pakuptueshme, e pamoralshme dhe qëllim keq. Fjala është për përfoljen deri në demonizim të personaliteteve, zyrtarëve institucionalë, të cilët gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrës së tyre ligjore, kinse prekin interesat e ndonjë partive politike apo organizimi kriminal. Këtu në Kuvend, në debate dhe intervista nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të mbështetur edhe nga analistët lojalë të partisë në pushtet, është përfolur prokurori i shtetit, Blerim Isufaj, duke e cilësuar atë si të padenjë për detyrën, të cilën ai e ushtron. Ai përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, idhnak e tekanjoz, i kapur për bishti deri tek përmasat e një monstrumi anti-kombëtar e anti-shtetëror”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Tutje, Çuni është shprehur se kur cilësimet e tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ato bëhen të besueshme për një numër të madh të qytetarëve.
Për Isufajn ai ka thënë se ka kontribuar për luftë çlirimtare e më pas edhe për luftimin e kriminelëve.