Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët e komunave në balotazh që të dalin të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre.
Në një konferencë për media, nënkryetarja Vlora Çitaku tha se sot është një ditë vendimtare për të ardhmen e 21 komunave. Çitaku tha se me verdiktin që do të japin sot qytetarët e komunave në balotazh fuqizohet demokracia dhe shteti i Kosovës.
“Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin, në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm. Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, prindërit tanë, me votën e tyre sot, do të fuqizojnë demokracinë she shtetin e Kosovës”, tha ajo.
Nga informatat që kanë marrë nga tereni, Çitaku tha se mbarëvajtja e procesit zgjedhor po shkon mirë.
“Nga mijëra aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në procesin zgjedhor të raundit të dytë në tërë territorin e vendit, vlerësohet se mbarëvajtja e deritashme e procesit zgjedhor po shkon mirë. Dhe shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi dominuese në këto zgjedhje”, tha ajo.
Sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë.