Gjykata Speciale në Hagë e ka dërguar në 143 numrin e personave që pretendojnë se janë viktima në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve. Trupi gjykues ka pranuar kërkesën e avokatit të viktimave për të lejuar tre anëtarë të familjes së një personi të pretenduar si viktimë, të marrin pjesë si viktima pjesëmarrëse në këtë proces gjyqësor.
Kjo është bërë pasi sipas avokatit Simon Laws, personi që kishte pretenduar se është viktimë ka ndërruar jetë së fundmi.
“Më 4 tetor 2023, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi kërkesën e avokatit të viktimave për të lejuar tre anëtarë të ngushtë të familjes të njërës prej viktimave, e cila ka ndërruar jetë së fundmi, të marrin pjesë si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Rrjedhimisht, numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 143”, ka njoftuar Gjykata Speciale.
Seancat gjyqësore në këtë proces vazhdojnë të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.