Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore. Porse nuk është certifikuar edhe rezultati i kandidatëve për asamble në Leposaviq.
Anëtarët nga PDK dhe LDK kanë kundërshtuar votimin e tre kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë zero vota. Ndërsa nga anëtarët e LVV-së në KQZ u tha se mandatet fitohen sipas koeficientit që e fitojnë partitë.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se ne Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk është bërë asnjë ankesë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.
“Ne kemi kërkuar nga PZAP nëse ka pasur ndonjë ankesë brenda 24 orëve të shpalljes së rezultatit. Nga PZAP, dje na kanë njoftuar se brenda afatit të përcaktuar ligjor, nuk ka parashtruar askush ankesë. Andaj janë plotësuar kushtet për certifikimin e rezultateve”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e 23 prillit, në veri të Mitrovicës dhe Leposaviqit ka dalë fituese Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok, Partia Demokratike e Kosovës.
Radoniqi më tej tha se në zgjedhjet për kuvendet komunale, në Komunën e Leposaviqit 15 ulëse i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, dy ulëse i ka marrë Partia Demokratike e Kosovës.
Anëtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti, ka kërkuar një interpretim në lidhje me kandidatët për asamble që kanë zero vota.
“Kemi dilema që na duhet një interpretim për kandidatët kanë zero vota. Është mirë ne të certifikojmë përqindjet dhe renditja le të shkojë, por të kemi një interpretim. Ne e kemi diskutuar gjerë e gjatë dhe ka mbetur që ne të certifikojmë rezultatet në renditje dhe të merret një interpretim”, ka thënë ai.
Interpretim ka kërkuar edhe anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, i cili ka bërë të ditur se nuk do të votojë certifikimin e kandidatëve që kanë zero votë.
“Nuk mundem në asnjë variant të ngrejë dorën të votojë një njeri i cili ka zero votë. Është e pamundshme, as nuk e jep ligji sepse as legalitet e as legjitimitet s’ka. Është e pakuptueshme. Prandaj ju kryetar duhet të lexoni emrin e secilit asamblistë, sepse një nga një duhet me i certifikuar kandidatët”, ka deklaruar Gashi.
Ndërsa, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka theksuar se shpërndarja e vendeve në Kuvendin Komunal bëhet sipas koeficientit që e fitojnë partitë.
“Mendoj që neni 8 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale te shpërndarja e vendeve në Kuvendin Komunal, nëse i referoheni pikës A, B,C, D që përshkruan mënyrën se si bëhet shpërndarja në Kuvendin Komunal, mund të vëreni shumë lehtë që mandatet fitohen sipas koeficientit që e fitojnë partitë prej renditjes së formulës. Dhe kjo mendoj që është ajo që sqaron çdo gjë. Për pjesë të tjera, ligji mendoj që është shumë i qartë dhe dihet që përderisa votat për subjektin është ajo që është kryesorja, pastaj kjo për kandidatin është sekondare”, ka thënë Krasniqi.
E kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se nuk mund të bëjnë certifikimin e tri mandatave, për shkak të paqartësive që kanë.
“Kontestuese mes neve janë vetëm tri (mandate), nuk kemi asnjë kontestim lidhur me këtë listën që kemi para vetës që kanë marrë vota. A i votojmë këto, për tri tjerat unë po pajtohem që nuk është shumë e qartë dhe nuk e dimë si të veprojmë edhe se një interpretim që na kanë dhënë prej zyrës ligjore, veç janë thirrur në nenin 8 por tash e kemi një interpretim tjetër nga Albani. Nuk kemi konsensus këtu edhe nuk e kemi për vete të qartë, na nevojitet të marrim një mendim prej dikujt tjetër, ose mund të parashtrohet ankesë në PZAP për mos-certifikimin e mandateve tjera”, ka vijuar Radoniqi në mbledhjen e sotme të KQZ-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq. Ndërkaq lista me kandidatët për asamble të Zveçanit ka marrë votat e mjaftueshme dhe është certifikuar.