Turqia ka kritikuar refuzimin për të ekstraduar një gazetar që jeton në mërgim në Suedi dhe ka lënë të kuptohet se kjo do të dëmtonte perspektivat e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n.
Ekstradimi i mohuar ishte një “zhvillim shumë negativ. Ne nuk duam të dëgjojmë më fjalë të këndshme nga Suedia dhe Finlanda por duam të shohim hapa të qartë”, shtoi ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavusoglu.
Turqia aktualisht po pengon Suedinë dhe Finlandën të bashkohen me NATO-n, përfshirë kërkesën për një luftë më të fortë kundër terrorizmit dhe ekstradimin e dhjetëra njerëzve, përfshirë gazetarin Bülent Kenes, i cili jeton në mërgim në Suedi.
Megjithatë, Gjykata e Lartë suedeze bllokoi ekstradimin e gazetarit të hënën. Turqia e akuzon Kenesin se është pjesërisht përgjegjës për përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në Turqi në vitin 2016 dhe se është anëtar i lëvizjes Gylen, të cilën e fajëson gjithashtu për grushtin e shtetit.
Gjykata e Lartë në Suedi e bazoi vendimin e saj, ndër të tjera, në faktin se Kenes ishte në rrezik të persekutimit në Turqi për shkak të pikëpamjeve të tij politike./ATSH