UBT News

​Buxheti për vitin 2023, ministri Murati përplaset me deputetët opozitarë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë për projekt-buxhetin për vitin 2023. Murati i quajti hipokritë deputetët e LDK-së, pasi dërguan në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë. Ndërkohë tha se opozitarët po thonë të pavërteta lidhur me buxhetimin e Ligjit për paga. Në anën tjetër, nga opozita, Murati u vlerësua si ministri më i dobëti në kabinetin qeverisës.

Në seancën e sotme plenare, ministri Murati, ngriti dyshime se LDK-ja mund të ketë interesa me supermarkete, pasi dërguan në Kushtetuese Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë.

“Vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarkete e dërgon një ligj të tillë në Gjykatën Kushtetuese. Ky është fakti, përndryshe kot e keni nëse qaheni këtu se si qytetarëve iu është vështirësuar jeta, ndërsa në anën tjetër tentoni të bllokoni çdo tentativë për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, tha ai.

Mirëpo këto i mohoi deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, derisa vazhdoi ta quante ligjin antikushtetues.

“Me atë ligj shkatërrohet secili market i vogël dhe mesëm në Republikën e Kosovës dhe mbizotërojnë, po dëshironi me shndërruar atë sektor në oligarki ku vetëm një numër shumë i vogël i supermarketeve mbizotërojnë. Sipas logjikës suaj, me këtë i bie se nëse dikush është i lidhur ngushtë me marketet e mëdha jeni ju, jo na, pasi ne po dëshirojmë të vegjlit dhe të mesmit”, theksoi Mustafa.

Krahas kësaj, ministri Murati tha se opozita po thotë të pavërteta sa i përket buxhetimit të Projektligjit për paga.

“Kur është bërë ligji i pagave në vitin 2019 nga AAK-ja për vitin pasues, pagat apo shtesat kanë qenë të buxhetuara me 650 milionë euro. Tani kemi buxhetin 745 milionë euro, do të thotë 95 milionë euro më shumë sesa ka planifikuar AAK-ja bashkë me PAN-in aso kohe për të mbuluar ligjin e pagave. Kapërcimi nga viti paraprak ka qenë 620milionë në vitin kur do të zbatohet ligji, ka qenë 650 milionë, 30 milionë euro shtesë, por edhe ato kanë qenë 100 milionë euro më pak sesa i kemi buxhetuar ne. Prandaj kur thoni se nuk ka buxhetim të Ligjit për paga po thotë të pavërteta”, tha Murati.

Atij i reagoi shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se Murati është ministri më i dobëti në kabinetin qeverisës.

“Unë e kuptoj ministrin Murati, i cili ka arritur jo vetëm me mashtru, por me qenë njeriu më i dobët në kabinetin qeverisës, por nuk po kuptoj si një ministër i financave del këtu dhe mbështetë një buxhet, i cili në esencë e rrezikon funksionim e shtetit të së drejtës, sigurinë kombëtare dhe rrezikon secilin sektor vital të shtetit”, tha Tahiri.

Exit mobile version