Të gjithë punëtorët e sektorit publik më datën 12 maj do të mbajnë grevë njëorësh. Përveç këtij veprimi sindikal, BSPK ka vendosur që një javë më pas, më datë 20 maj, të organizojë protestë, pasi ende nuk janë përfillur kërkesat e tyre për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Pas një takimi me sindikatat, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli ka njoftuar se të gjithë janë unikë me kërkesat dhe veprimet që do të marrin ditëve në vijim.
“Ne sot vendosëm që krahas që është hapur një tunel i vogël i dialogut social me partnerin social-Qeverinë e Kosovës, ne do të vazhdojmë me veprimet tona. Me datën 12 maj kemi vendosur që të fillojmë me një grevë njëorësh për gjithë të punësuarit e Kosovës. Edhe vazhdojmë me protestën më datën 20 maj dhe me protestat e veprimet tjera sindikale”, ka thënë Hykolli.
Hykolli ka shtuar se kjo është kërkesë e të gjitha federatave për vendosjen e këtyre veprimeve sindikale.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës e protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.
“Pas protestës më 20 maj, sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke paralizuar sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, por edhe do të veprojmë e ky veprim do të shihet më 12 maj me grevën njëorësh në tërë Kosovën dhe protestën që besoj do të jetë madhështore më 20 maj”, ka deklaruar Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit e Shkencës tha se po kërkojnë që të dinë nëse janë përfillur kërkesat e tyre me Ligjin e Pagave.
“Po kërkojmë që Ligji i Pagave pasi që zotëri Sveçla tha që është kryer dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, të ulemi dhe ta shohim se a janë respektuar dhe a janë duke u ndërmarrë kërkesat e secilës sindikatë. Nëse po, do të jetë një lajm i gëzuar. Nëse me Ligjin e Pagave nuk janë përfillur kërkesat e tona atëherë përmes BSPK-së do të ulemi dhe do të marrim veprime shumë më radikale se këto që i kemi paralajmëruar”, ka thënë Jasharaj.
Përveç pagesës prej 100 euro për çdo muaj, sindikatat po kërkojnë rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për skemat pensionale.