Qeveria britanike njoftoi sot se ka bërë 14 shtesa në listën e sanksioneve kundër Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës, ku këtë herë përfshihen organizata mediatike dhe drejtuesit e tyre.
Britania po punon me aleatët perëndimorë për të goditur ekonominë ruse për sulmin ndaj Ukrainës dhe deri më tani ka sanksionuar më shumë se 1000 individë dhe biznese, duke përfshirë ato në fushën e transportit dhe mbrojtjes, dhe një elitë të lidhur me presidentin Vladimir Putin, raporton Reuters.
Në mesin e të sanksionuarve janë njerëz të medias, si Alexei Nikolov nga RT, Sergei Briljev, drejtuesi i njohur i televizionit shtetëror “Rusia” dhe kryeredaktori i Sputnik, Anton Anisimov.
Lista përfshin gjithashtu Mikhail Mizintsev, kreun rus të Komandës dhe Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili thuhet se është “përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e urdhrave për rrethimin dhe bombardimin e Mariupolit”.
Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss tha se sanksionet e reja synojnë të ndëshkojnë ata që përhapin propagandë.
“Lufta e Putin-it në Ukrainë bazohet në një shi gënjeshtrash. Britania ka ndihmuar në zbardhjen e dezinformatave të Kremlinit dhe grupi i fundit i sanksioneve po synon propaganduesit e paturpshëm që po përhapin lajme dhe histori të rreme të Putinit”, tha Truss.